Ishujt grekë protestojnë kundër mbipopullimit me migrantë

Evropë

Ishujt grekë protestojnë kundër mbipopullimit me migrantë

Më: 23 janar 2020 Në ora: 18:42
Greqi

Banorët e tre ishujve grekë organizuan një protestë të mërkurën kundër mbipopullimit të kampeve të refugjatëve, duke kërkuar veprime nga qeveria për të lehtësuar situatën. Shumica e dyqaneve u mbyllën dhe shërbimet publike u pezulluan në ishujt Lesbos, Chios dhe Samos, ku disa kampe refugjatësh kanë dhjetë herë më shumë njerëz se sa kapaciteti i parashikuar.

Grupe ndërkombëtare të ndihmave i kanë kritikuar kushtet e jetesës në disa kampe në ishujt grekë. Protestuesit grekë kërkojnë mbylljen e porteve hyrëse si dhe shpërndarje më të barabartë të migrantëve në të gjithë vendin.

Protestat u organizuan nga guvernatorët dhe kryetarët rajonalë të bashkive të cilët iu drejtuan Athinës me kërkesat e tyre. Rreth 10 mijë njerëz protestuan në tre ishuj grekë. Panagiotis Foudouris është një nga protestuesit në ishullin Lesbos:

“Migrantët duhet të largohen. Nuk jemi racistë por thjeshtë situata në Lesbos është tërësisht jashtë kontrollit. Vetëm vinë dhe nuk largohen. Hapini kufinjtë që ata të shkojnë në Itali, Bullgari apo Gjermani. Mbyllni kufirin këtu se ishujt Lesbos, Chios apo Samos nuk mund të pranojnë më tepër.”

Zyrtarët lokalë thonë se protesta është një mesazh i fortë dhe i qartë se situata në ishujt e Egjeut verior nuk mund të tolerohet më tej nga banorët apo migrantët. Kostas Moutzouris është guvernator i Egjeut Verior:

“Grumbullimi dhe bllokimi i kaq mijëra njerëzve në kushte të tmerrshme jetese nuk mund të vazhdojë. Është e papranueshme për njerëzimin. Degradimi i i kushteve të jetesës në ishuj është i patolerueshëm pas grumbullimit të një turme kaq të madhe.”

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për refugjatët thotë se Greqia ka rreth 100 mijë migrantë ku 40 mijë prej tyre janë në ishuj. Kampi Moria në Lesbos është jashtëzakonisht i mbipopulluar. Me kapacitet për 3 mijë njerëz, aty strehohen 19 mijë migrantë, sipas të dhënave qeveritare. Ka njoftime për vdekje për shkak të aksidenteve, sëmundjeve apo dhunës. Farhd është migrant nga Afganistani:

“Për një familje është shumë e vështirë të shkosh në banjë natën. Është shumë e rrezikshme.”

Edhe migrantët kanë organizuar protesta. Të premten e kaluar ata protestuan në Moria, ku një migrant nga Jemeni ishte qëlluar për vdekje me thikë. Greqia u ka bërë thirrje vendeve evropiane që të ndihmojnë në lehtësimin e barrës. Giorgos Koumoutsakos është Ministër për Migracionin dhe Politikat e Azilit në qeverinë e Athinës:

“Evropa ka nevojë urgjente për një politikë të përbashkët për nevojat e reja.”

Franca ka ofruar të ndihmojë Greqinë për të organizuar fluturimet që do të riatdhesojnë individët që u është refuzuar azili. Laurent Nunez është Zëvendës Ministër i Brendshëm i Francës:

“Me ndihmë nga Frontex, do të mund të organizojmë fluturime franko-greke, që është diçka shumë e rendësishme, është një masë e rëndësishme.”

Migrantët nga Afrika, Azia qendrore dhe Lindja e Mesme shpesh kalojnë përmes Turqisë në udhtëimin e tyre drejt Evropës dhe ishujt grekë pranë Turqisë janë porta e parë hyrëse drejt Evropës.

Ndërsa shtohet numri i vendeve evropiane që mbyllin kufijtë për migrantët, ata mbeten në Greqi duke u bërë një barrë e rëndë për vendin e vogël mesdhetar./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat