Gylen: Të gjithë tiranët narcistë i pret një fund i keq

Evropë

Gylen: Të gjithë tiranët narcistë i pret një fund i keq

Më: 29 janar 2020 Në ora: 19:36
Fethullah Gyle

Teologu dhe predikuesi fetar, Fethullah Gylen në një intervistë ka folur për raportet e tij që kishte me presidentin e Turqisë, Rexhep Tayyip Erdogan, rrethanat që dërguan në prishjen e tyre dhe për raportet e Turqisë më Perëndimin e NATO-n.

Gylen për “24heures.ch” po ashtu ka folur edhe për gjendjen e tanishme të Turqisë, duke vlerësuar se afrimi i Erdoganit me Rusinë dhe Shangain, është vetëm një blof i tij, pasi as ai dhe as Turqia nuk mundën pa NATO-n.

Ish-aleati i Erdoganit, Gylen, tani nga qeveria turke konsiderohet si armiku i Turqisë, ndërsa organizata e tij Hizmet, është shpallur terroriste në Turqi. Ankaraja i kërkon qeverisë amerikane ekstradimin e Gylenit, por ai vazhdon të qëndrojë në shtëpinë e tij në Pensilvani, ku ruhet nga policia amerikane.

Duke treguar se pse Erdogani e urren tani kaq shumë atë, ai ka thënë se Erdogani nuk ndan të njëjtin botëkuptim me të. “Ish-Presidenti i Turqisë, Turgut Ozali, kur ishte kryeministër, e pati zgjidhur këtë problem pjesërisht duke përfshirë në qeverinë e tij ministra kurdë, social-demokratë dhe nga qarqe të ndryshme politike. Unë jam i mendimit që duhet të mundësohen më shumë liri, si dhe që gjuha kurde të mësohet lirshëm nëpër shkolla. Dhe për këtë, ka nevojë për një shtet që nuk qeveriset më së shumti nga qendra. Nëse një ditë do të bëhej një reformë, do të këshilloja Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara, në të cilën qytetarëve u njihen më shumë liri”, tha ai.

Ndërhyrjen e Turqisë në Siri, e quan një lëvizje për të ndryshuar rrjedhën e opinionin publik. “Deshi që ta drejtonte tjetërkah vëmendjen e njerëzve, si e si për ta larguar nga problemet e brendshme që shqetësojnë sot Turqinë. Jo vetëm kaq, natyrisht, sepse ky ishte edhe një rast shumë i mirë për të shpallur përpara botës, që ai është një njeri shumë i fortë në botën myslimane. Vetëm se ne e shohim shumë qartë rezultatin e asaj çfarë ndodhi në Siri. Duke mbështetur një kryengritje që nuk është realiste, ai u bë një vrasës. Edhe vetë personalisht ka një përgjegjësi shumë të madhe për gjithçka që ndodhi. Me mijëra të vdekur, miliona refugjatë, gjithë këto ngjarje të tmerrshme”.

Gylen ka folur edhe për ndërhyrjen turke në Libi, duke e quajtur një gabim të madh, pasi duke mbështetur vetëm disa grupe të caktuara, Erdogani mori përsipër sërish një rol negativ. “Hap pas hapi, ai po zhytet në batakun e kundërshtive mes asaj që do dhe atyre që bën. Njësoj si në rastet e Hitlerit dhe të Stalinit, të gjithë tiranët narcistë i pret një fund i keq. Sundimi i tyre përmbyllet me mllef. Edhe ai të njëjtin fat do të përjetojë”, tha ai.

Bashkëpunimin e Erdoganit me organizatat e Rusisë dhe Shangait, e quan një blof dhe një provë shantazhi pasi Turqia nuk mund të heqë dorë prej Perëndimit, sepse ka nevojë për të edhe për vetë sigurinë e tij. “Kështu flet për të bindur ndjekësit e tij. Mendimi im, personalisht, është që Turqia duhet t’i mbajë të forta lidhjet dhe marrëdhëniet e saj me NATO dhe Evropën. Por ç’e do se Turqia ka dalë pothuajse fare nga rendi i ditës për sa i përket anëtarësimit në Bashkimin Evropian”.

Gylen thotë se Lëvizja Hizmet, edhe në të ardhmen ka për të qenë një organizatë humanitare, pasi ky është qëllimi i tyre parësor. “Fatkeqësisht, në një kontekst kaq të keq ajo po vihet përballë shumë vështirësish. Ne jemi një lëvizje shumë e vogël, e megjithatë, pavarësisht kësaj, ne do të vazhdojmë të jemi në mbrojtje të konceptit tonë për harmoni shoqërore, respekt të ndërsjellë, dashamirësisë për njeriun dhe diversitetin. Unë jam i besimit se vlerat universale njerëzore mund të na bashkojnë të gjithëve me njëri-tjetrin, pavarësisht dallimeve që mund të kemi në besim. Fare pranë kam qenë në një spital këtu për t’u kuruar. Atje u përballa me doktorë të krishterë dhe hebrenj, të cilët trajtuan një pacient mysliman duke treguar një respekt shumë të lartë. Dhe Zoti me njerëzit vepron sipas punëve të tyre dhe jo sipas asaj se si shfaqen ata”, tha Gylen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat