Një e katërta e drogave në Britani janë të rreme dhe të rrezikshme

Evropë

Një e katërta e drogave në Britani janë të rreme dhe të rrezikshme

Më: 16 shkurt 2020 Në ora: 09:30
Foto ilustrim

Në bazë të një hulumtimi të autoriteteve britanike, gati një e katërta e drogave nuk janë të atij lloji për të cilin mendojnë përdoruesit, ndërsa disa prej llojeve janë shumë më të fuqishme dhe më të rrezikshme.

Në studimin që u krye në Briston dhe Durham u analizua përbërja e më shumë se 170 substancave. Ato u studiuan nga kimistët në një laborator, ndërsa u ofruan këshilla për më shumë se 200 përdorues.

Sipas rezultateve, 24 për qind e drogave nuk ishin të llojit për të cilin janë shitur. Për shembull, droga e shitur si ekstazi ishte në të vërtetë substancë e quajtur n-etilpentilon, e cila në të kaluarën është lidhur me vdekjet nga mbidoza.

Në një rast tjetër, substanca e shitur për ketaminë në fakt ishte një substancë e re psikoaktive, e njohur me emrin shkencor 2-FDCK. Ajo është drogë sintetike një herë e gjysmë më e fuqishme se ketamina dhe efektet e saj zgjasin deri në tri herë më shumë.

Hulumtuesit gjithashtu zbuluan raste të përzierjes së heroinës me paracetamol dhe kafeinë, shkruan “The Guardian”.

Shkalla e vdekjeve të lidhura me drogën në Britani ka shkuar në nivel rekord. Në vitin 2018, 2 mijë e 917 persona vdiqën në Angli dhe Uells nga përdorimi i drogave ilegale, që paraqet rritje prej 17 për qind në krahasim me vitin paraprak.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat