Ministri rus i Mbrojtjes viziton Serbinë

Evropë

Ministri rus i Mbrojtjes viziton Serbinë

Më: 17 shkurt 2020 Në ora: 15:39
Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu dhe homologu i tij serb, Aleksandar Vulin në Beograd.

Serbia dëshiron një ushtri të fortë sepse ajo garanton stabilitetin dhe neutralitetin, por edhe përparimin e vendit, tha ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, gjatë një takimi me homologun e tij rus, Sergei Shoigu, të hënën në Beograd.

Në deklaratën e ministrisë serbe të Mbrojtjes, Vulin, mes tjerash citohet të ketë thënë se, “formimi i ushtrisë së Kosovës dhe armatosja e saj janë të papranueshme”.

Siç raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë, Vulin dhe Shoigu janë përqendruar në bashkëpunimin e vendeve të tyre në mbrojtje dhe në forcimin e lidhjeve në të ardhmen.

Ministri rus tha se stërvitjet e përbashkëta të të dyja ushtrive janë treguesi më i mirë i marrëdhënieve të ngushta.

Vulin e falënderoi Federatën Ruse për ndihmën ushtarake dhe teknike që i ofron ushtrisë së Serbisë.

“Vetëm në vitin 2019 janë realizuar 94 aktivitete në kuadër të bashkëpunimit ushtarak ndërkombëtar me Federatën Ruse. Bashkëpunimi në mbrojtje zhvillohet në përputhje me Deklaratën e Partneritetit Strategjik”, tha Ministria e Mbrojtjes në Beograd.

Shoigu gjatë vizitës së tij në Serbi do të takojë edhe presidentin e këtij vendi, Aleksandar Vuçiq.

Në muajin nëntor të vitit të kaluar, Departamenti amerikan i Mbrojtjes ka nxjerrë një dokument në, të cilin është thënë se marrëdhëniet Serbi-Rusi janë forcuar që nga ardhja në pushtet e Vuçiqit në vitin 2012.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat