Britani: Nuk ka viza pune për punëtorët e thjeshtë, sistem i pikëzuar për emigrantët

Evropë

Britani: Nuk ka viza pune për punëtorët e thjeshtë, sistem i pikëzuar për emigrantët

Më: 19 shkurt 2020 Në ora: 14:11
Boris Johnson

Qeveria britanike ka zbuluar sistemin e ri të pranimit të emigrantëve që do të hyjë në fuqi nga janari i vitit të ardhshëm pas Brexitit.

Sistemi favorizon emigrantët evropianë apo të huaj që janë të kualifikuar dhe me diploma, ndërsa i paraqet vështirësi të mëdha atyre që nuk flasin gjuhën angleze dhe që kërkojnë një punë pa përgatitje të lartë arsimore e profesionale.

"Ky sistem do të ulë emigracionin e thjeshtë dhe do i japë prioritet më të aftëve dhe të talentuarve," njofton zyra e kryeministrit Boris Xhonson.

Me planin e ri të pikëzuar, një emigrant me prejardhje nga brenda apo jashtë BE-së duhet të mbledhë një sasi prej 70 pikësh për të siguruar një vizë apo vend pune pasi ka qëndruar gjashtë muaj në Mbretërinë e Bashkuar. Pikët grumbullohen në bazë të punëdhënësit, nivelit të kualifikimit, njohurisë së gjuhës angleze, nivelit të pagës dhe diplomës pasuniversitare, çka nënkupton fundin e punëve të zakonshme për emigrantët, si në restorante, hotele, në shtëpitë për personat e moshuar apo në industrinë ushqimore.

Për infermierët ende mund të ketë kërkesa nëse paraprakisht janë shpallur vende bosh nga qeveria. Edhe studentët e huaj do të duhet të marrin aprovimin nga institucionet e arsimit dhe të provojnë se mund t'i përballojnë vetë shpenzimet. Vlerësohet se me politikat e reja do të ulet numri i emigrantëve në Britani pasi 70 për qind e forcës ekzistuese të punës në BE nuk i plotëson kushtet. Mes të prekurve do të jetë edhe komuniteti shqiptar me afro 100 mijë banorët e vetë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat