Si nisi përhapja e koronavirusit në Itali

Evropë

Si nisi përhapja e koronavirusit në Itali

Më: 23 shkurt 2020 Në ora: 07:39
Itali

Italia është në një situatë paniku pas viktimës së parë të shënuar nga koronavirusi është regjistruar edhe viktima e dytë.

Viktima e parë ishte Adriano Trevisan 78 vjeç, i cili ka ndërruar jetë në spitalin Schiavonia të Padovës.

Ndërsa, viktima e dytë është një grua, emri i të cilës nuk është bërë ende me dije nga mediat italiane. Mësohet se në të njëjtin spital ndodhet i shtruar dhe një tjetër person i prekur nga koronavirusi, që i përket bashkisë së Cinto Euganeo.

Kujtojmë se deri më tani në Itali numri i të prekurve nga koronavirusi ka shkuar në 27. Ndërsa në të gjithë botën ka arritur në 2236 numri i personave që kanë humbur jetën dhe 75 mijë janë të infektuar.

Deri tani raportohen 27 raste me koronavirus në Lombardi dhe dy raste të konfirmuara në Veneto. Dy rajonet janë në kufi me njëra tjetrën.

Viktima e dytë është një grua me banim në provincën e Lombardisë e sipas mediave italiane ka qenë në kontakt me 38 vjeçarin e prekur në komunën Codogno në provincën e Milanos.

Autoritetet po mundohen të zbulojnë se ku është foleja e këtij virusi.

Në Lombardi dyshohet se virusi ka ardhur nga një 38 vjeçar i cili është infektuar në një darkë me një shok të tij, dhe ky i fundit kishte qenë në Kinë

Janë me qindra personat që kanë pasur kontakt direkt me ta dhe janë në pritje të rezultateve të testit. Sakaq, më shumë se 50 mijë qytetarë nga provinca e Lodit janë në karantinë në shtëpitë e tyre.

Gjithçka nisi kur 38 vjeçari nga Codogno, të martën e 18 shkurtit u prezantua në spital me simptomat e gripit, por në fund të vizitës është dërguar në shtëpi. Një ditë më pas burri është rikthyer dhe është shtruar në spital deri të enjten në mbrëmje kur dhe kanë dalë analizat ku doli se ishte pozitiv me koronavirus.

Menjëherë është urdhëruar izolimi në spitalin e Milanos. Por ishte shumë vonë.

Në ditët përpara 38 vjeçari ishte takuar me dhjetra persona, kishte shkuar në punë, kishte marrë pjesë në dy kurse, në një maratonë në Santa Margherita Ligure, ka luajtur futboll si dhe ka darkuar me miq.

Si e mori virusin?

Hipotezat janë se është infektuar në një darkë mes miqsh. 38 vjeçari ka qenë në një darkë ku ka qenë dhe një mik i tij i ardhur nga Kina. Por personi i dytë ka rezultuar negativ. Që do të thotë ose nuk është ai transportuesi ose ka pasur virusin dhe është shëruar. Do të jenë analizat që do të nxjerrin rezultatet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat