Bebet e humbura të Serbisë: zgjidh e paguaj

Evropë

Bebet e humbura të Serbisë: zgjidh e paguaj

Më: 24 shkurt 2020 Në ora: 14:24
Serbi

Tema për bebet e humbura nëpër spitalet e Serbisë, po bëhet gjithnjë e më nxehtë në këtë vend, ndërkohë ajo ka intriguar edhe televizionin turk “TRT World”, që ka shfaqur një dokumentar, raporton të hënën gazeta serbe “Blic”.

Mes viteve 1960 - 1980, fenomeni i “zhdukjes” së bebeve nga spitalet, përkatësisht gënjimet e prindërve se fëmijët u kanë vdekur dhe se janë varrosur, ka qenë tejet i theksuar dhe këtë e ka shtjelluar edhe televizioni turk, duke marrë rrëfimet e nënave që po kërkojnë të vërtetën për fëmijët e tyre.

Mirjana Novokmet, kryetarja e grupit të prindërve që kanë humbur fëmijët, ka rrëfyer për rastin e dhimbshëm se si humbi djalin, e më pas problemet që iu shfaqën.

“Unë pas daljes nga spitali, me muaj kam dal nëpër parqe në kërkim të djalit me shpresën se do ta njoh. Synimi im me rastin e krijimit të grupit, është që prindërit të vijnë tek e vërteta. Po ashtu, ndihmojmë prindërit që nuk pasur forcë dhe dije, pasi jo të gjithë ishim të edukuar, që të fillojnë të kërkojnë fëmijët e tyre”, ka thënë Mirjana Novokmet.

Ajo tregon se të nesërmen pasi lindi, mjekët i thanë se fëmija i ka vdekur.

“I pyeta se kur mundem ta varros fëmijën, por më thanë se kjo është çështje e spitalit”.

Zorica Jovanoviq është ndër të rrallat që ka fituar betejën me Serbinë në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg. Gjykata ka vendosur se Serbia ka shkelur të drejtat për jetë.

Ajo, më 1983 lindi në Quprijë djalë të shëndoshë. Tri ditë më vonë, ajo dhe burri i saj u njoftuan se bebja ka vdekur. Prindërit nuk e panë beben dhe as nuk u njoftuan se ku u varros. Kjo nxiti dyshimin se bebja është gjallë.

“Kërkimet i ka nisur burri im, tashmë i ndjerë. Erdhëm se pari deri të libri i regjistrimit të të vdekurve dhe fëmija im nuk ishte i shënuar aty. Njëri prej mjekëve më tha se vdekja ende nuk është regjistruar në libër. Problemi më i madh ishte mbledhja e dokumentacionit që duhej ta dorëzoja në Strasburg”, ka thënë Zorica Jovanoviq. “Padinë e bëra me zemrën e thyer të një nëne”.

Në dokumentarin emocional të televizionit turk, ka folur edhe një mami, e cila shpesh dyshon se ka rastisur te “bebet e vdekura”.

“Ishte befasi se si një bebe kaq e shëndoshë e me peshë të mirë, të vdesë. Zakonisht bebet kanë humbur kur nënat kanë filluar t’u japin gji. Njerëzit të cilët nuk duhet të ishin në bokset e fëmijëve, zakonisht ishin në orët e pasdites kur hiqej tollovia si dhe gjatë të shtunave e të dielave. Pas atyre vizitave, mjeku gjinekolog do të thoshte se bebja ka vdekur. Ndonjëherë besonim, e ndonjëherë na vinte çudi”, ka thënë ajo në dokumentar.

E në dokumentar ka folur edhe një njeri që ka dashur të adaptojë një fëmijë.

“Mjeku më tha se duhet të japë për një bebe 10 mijë marka gjermane, kurse për binjak 15 mijë marka. Kur e takova mjekun më tha se bebet janë të studenteve që i kanë lindur dhe nuk kanë guxuar t’i marrin me vete nëpër shtëpi”, ka thënë ai.

Një ditë, mjeku e kishte marrë me vete, ia kishte veshur një mantel të bardhë dhe e kishte futur në dhomën ku ishin bebet.

“Mendoj se bebja e tretë apo e katërt me radhë, më preku në zemër. U ndala ta shikoj, kur mjeku më tha: ‘Zgjidh’. Këtu e kuptova se nuk është diçka në rregull”, ka rrëfyer ai.

Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës në vitet e shkuara, në vazhdimësi ka ftuar Serbinë që shumë shpejt të miratojë ligjin për bebet e humbura dhe t’u mundësojë prindërve të marrin kompensim. E një ligj për këtë, nesër do të nisë të diskutohet në Kuvendin e Serbisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat