Arrin në 283 numri i të prekurve nga koronavirusi në Itali

Evropë

Arrin në 283 numri i të prekurve nga koronavirusi në Itali

Më: 25 shkurt 2020 Në ora: 12:51
Foto ilustrim

Shifrat e koronavirusit në Itali janë rritur në 7 të vdekur dhe 283 infeksione: 212 raste dhe 6 viktima në Lombardi; 38 raste dhe një vdekje në Veneto; 18 raste në Emilia Romagna, 3 në Piemonte dhe Lazio, një në Tirolin e Jugut dhe një në Siçili.

Ushtria ndërkohë arrin në pikat e kontrollit në zonën e kuqe të Lodigiano. Po ashtu ka rezultuar pozitive një grua nga Bergamo, në Palermo si edhe një mjek italian në Tenerife. Në hotelin në të cilin ai ndodhej, bashkë me të shoqen, janë vendosur në karantinë rreth 1 mijë persona dhe ushtria e forcat e rendit ndalojnë daljen e personave nga hoteli. Ndërkohë një tjetër italian në Kili duket se është prekur nga koronavirusi, pavarësisht se ende nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Ndërkohë, janë kthyer në vend italianët që ishin ndaluar në Mauricius. Deri në mes të Marsit ndërkohë, kompanitë në gjashtë rajone në veri të Italisë, do të mund të aplikojnë punën në distancë ose të ashtuquajturën smart working. Deri më 15 mars ndërkohë janë pezulluar të gjitha aktivitetet shkollore si ekskursione apo projekte shkëmbimi apo binjakëzimi.

Një rast i dyshuar për koronavirus është regjistruar edhe në Firence, një italian i kthyer nga Singapori, ndërkohë që pritet rezultati i testeve.
Ndërkohë, kryeministri italian, Giusepe Conte, ka pranuar se menaxhimi i epidemisë së koronavirusit nuk ka qenë tërësisht në përputhje me protokollin e një spitali c’ka edhe mund të ketë kontribuar në përhapjen e virusit në Itali.

“Menaxhimi në nivelin e një strukture spitalore nuk ka qenë tërësisht në përputhje me protokollet që janë rekomanduar në këto raste dhe kjo sigurisht ka kontribuar në përhapjen. Por, ne vazhdojmë të ndjekim me rigorozitet situatën dhe ju premtojmë se do të bëjmë maksimumin, ditë e natë”, tha Konte.

Duke folur nga selia e mbrojtjes civile, Konte ka pranuar kështu se ditët e shkuara është bërë një gabim që po paguhet shtrenjtë tashmë nga vendi. /tch

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat