Bruksel, vazhdojnë diskutimet për metodologjinë e zgjerimit

Evropë

Bruksel, vazhdojnë diskutimet për metodologjinë e zgjerimit

Më: 26 shkurt 2020 Në ora: 13:34
Bashkimi Evropian

Metodologjia e re e zgjerimit e propozuar nga Komisioni Europian do të diskutohet sot nga ministrat e Punëve të Jashtme të BE-së. Në takim nuk pritet të ketë vendimmarrje pasi Komisioni nuk ka paraqitur ende raportet vlerësuese. Ministri gjerman i Shtetit për Europën Michael Roth, tha para takimit metodologjia e re duhet të hapë pa vonesa negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. 

Ministrat e Punëve të Jashtme të Bashkimit Europian do të bisedojnë në Bruksel mbi metodologjinë e re të zgjerimit të propozuar nga Komisioni Europian, por ata nuk pritet të marrin ndonjë vendim pasi ekzekutivi nuk ka përfunduar ende raportet vlerësuese për reformat e Shkupit dhe Tiranës. Në rendin e ditës të Këshillit për Çështjet e Përgjithshme të BE-së janë parashikuar diskutime të zgjeruara për samitin e ardhshëm të liderëve dhe marrëveshjen e ardhshme të bllokut me Mbretërinë e Bashkuar. Gjatë këtij takimi pritet të përsëritet se reforma e metodologjisë së pranimit duhet të zhvillohet paralelisht me hapjen e negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. 

Ndërkohë raportet vlerësuese për të dy vendet duhet të publikohen javën e ardhshme, mes dy dhe pesë marsit. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i kanë plotësuar të gjitha kriteret formale, ndaj dhe autoritetet shpresojnë se ato do të merren parasysh në favor të fillimit të negociatave gjatë këtij viti. Ministri gjerman i Shtetit për Europën Michael Roth, tha para takimit se metodologjia e re duhet të hapë pa vonesa negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. “Të dyja vendet si Shqipëria dhe Maqedonia Veriore, që janë të vendosura të kalojnë të gjitha reformat e nevojshme do të mirëpriten për bisedimet e pranimit. Parashikueshmëria është thelbësore për të ndërtuar një marrëdhënie afatgjatë me rajonin.

Europa duhet të përmbushë angazhimet e saj”, shtoi Roth. Mbetet e pasigurt si do të veprojnë Holanda, Danimarka dhe Franca, të cilat janë kundër zgjerimit. Holanda dhe Danimarka kanë veçanërisht rezerva ndaj Shqipërisë, por duke e pasur parasysh se Franca, por edhe vende të tjera, refuzojnë ndarjen të Shkupit dhe Tiranës, Haga dhe Kopenhaga nuk do të bllokojnë sërish procesin. Me rëndësi do të jetë vendimi i parlamentit holandez pas publikimit të raporteve vlerësues për përparimin e reformave. Në Bruksel, por edhe në Tiranë dhe Shkup ka më shumë optimizëm për fillimin e negociatave pasi kreu francez Emmanuel Macron tha se Parisi do ta heqë veton nëse raportet vlerësuese janë pozitive.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat