Turqia hakmerret pas vrasjes së 33 ushtarëve të saj në Siri

Evropë

Turqia hakmerret pas vrasjes së 33 ushtarëve të saj në Siri

Më: 28 shkurt 2020 Në ora: 15:08
Anija e marinës ruse duke kaluar nëpër Bosfor

Turqia tha të premten, se fuqitë botërore duhet të imponojnë një zonë të ndalim-fluturimit në Siri, për të mbrojtur qindra mijëra njerëz, të shpërngulur nga luftimet.

Ankaraja njoftoi se të paktën 33 ushtarë të saj janë vrarë, në një sulm ajror nga forcat e qeverisë siriane të mbështetura nga Rusia, në veriperëndim të Sirisë, duke rritur më tej tensionet midis Moskës, Ankarasë dhe Damaskut.

Përmes një postimi në Twitter, Drejtori i Komunikimit në presidencën turke, Fahrettin Altun, tha se Rusia dhe Irani, që mbështesin presidentin sirian Bashar al-Asad, do të humbasin të gjithë besueshmërinë, nëse nuk ndalojnë armiqësitë në rajonin e Idlibit.

Ai paralajmëroi hakmarrje nga ana e Turqisë për vrasjen e pjesëtarëve të saj.

“Në përgjigje të sulmit, objektivat e qeverisë siriane do të përballen me zjarr nga ajri dhe toka", tha Altun.

Një organizatë monitoruese raportoi se nga sulmet hakmarrëse turke janë vrarë 16 ushtarë sirianë.

Qeveria e Sirisë nuk ka bërë asnjë koment të menjëhershëm mbi përshkallëzimin e fundit në Idlib, të cilin forcat siriane të mbështetur nga Rusia po përpiqen të marrin nga rebelët.

Gjithsej 54 ushtarë turq janë raportuar të vrarë në provincë, që nga fillimi i muajit, përfshirë këtu edhe vdekjet më të fundit.

Reagime pas incidenteve të fundit

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se trupat turke, të cilët u shënjestruan nga trupat siriane ishin midis "terroristëve".

Rusia tha se po dërgonte dy anije luftarake të pajisura me raketa në Detin Mesdhe, drejt bregdetit sirian.

Shtetet e Bashkuara reaguan duke thënë se "po qëndrojmë pranë aleatit të NATO-s – Turqisë” dhe se kanë kërkuar që Siria dhe Rusia të përfundojnë ofensivën e tyre në Idlib.

"Ne po shohim opsione se si mund ta mbështesim më së miri Turqinë në këtë krizë", tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit.

Agjencia e lajmeve Anadolu e Turqisë tha se ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, kishte biseduar me telefon me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

“Stoltenberg dënoi sulmet ajrore nga regjimi sirian dhe mbështetësja e saj Rusia, në provincën e Idlibit, dhe u bëri thirrje atyre që të ndalojnë ofensivën e tyre, të respektojnë ligjin ndërkombëtar dhe të mbështesin përpjekjet e Kombeve të Bashkuara për një zgjidhje paqësore", ka njoftuar NATO-ja.

Organi kryesor i vendimmarrjes në NATO, Këshilli Veri-Atlantik, do të takohet më vonë gjatë ditës së premte me kërkesën e Turqisë, për të diskutuar situatën në Siri, shkroi Stoltenberg në Twitter.

Franca gjithashtu tha se "dënon me vendosmërinë më të lartë bombardimet intensive nga aviacioni i regjimit sirian dhe aleatëve të tij, veçanërisht Rusia", duke përmendur një katastrofë humanitare të shkaktuar nga sulmet.

Ndërkohë, ambasadorja amerikane në NATO, Kay Bailey Hutchison, u bëri thirrje autoriteteve turke të mësojnë nga luftimet në Siri "se kush është partneri i tyre i besueshëm, dhe kush jo".

"Shpresoj që presidenti Erdogan do të shohë që ne jemi aleati i së kaluarës dhe ardhmërisë së tyre" tha ajo, duke shtuar se Ankaraja duhet të anulojë blerjen e sistemit të sofistikuar të mbrojtjes së raketave S-400 nga Rusia.

Turqia kishte paralajmëruar përgjigje të ashpër

Presidenti i Turqisë, Reccep Tayip Erdogan, kishte paralajmëruar përgjigje të ashpër ndaj forcave sirinane, nëse vriten ushtarët turq.

Më 12 shkurt, Erdogan kishte deklaruar se nëse sulmohet edhe një ushtar turk, ushtria e shtetit që ai udhëheq do të sulmojë forcat siriane të mbështetura nga Rusia, gjithandej nëpër Siri.

“Nëse u krijohet edhe plaga më e vogël ushtarëve tanë, unë po them sot se do të qëllojmë forcat e regjimit kudo që janë, pavarësisht kufijve të Idlibit dhe marrëveshjes së Soçit”, ka thënë Erdogan, duke iu referuar paktit për armëpushim të nënshkruar më 2018.

Roli i Rusisë dhe Turqisë në konfliktin sirian

Dhuna ka shpërthyer në Idlib, javë më parë, pasi forcat qeveritare kanë zgjeruar fushatën e tyre për të fituar kontrollin e zonës së fundit që drejtohet nga rebelët në Siri.

Forcat e presidentit Bashar al –Asad po bëjnë përpjekje për të kthyer kontrollin në rajonin e Idlibit dhe disa pjesë të Alepos.

Këto rajone janë territoret e fundit në të cilat kanë ende kontroll rebelët anti-qeveritarë, të cilët gëzojnë mbështetjen e Turqisë.

Rusia dhe Irani kanë mbështetur forcat e Assadit në konfliktin sirian.

Turqia ka dërguar mijëra trupa dhe pajisje të rënda ushtarake në provincën veri-perëndimore të Idlibit.

Në Turqi gjenden rreth 3.5 milionë refugjatë sirianë. Ankaraja ka frikë se mund të ndodhë një fluks tjetër i refugjatëve pas përshkallëzimit të dhunës në Idlib. Një zyrtar i lartë turk i tha agjencisë Reuters se “Turqia nuk do të ndalojë më afro 4 milionë refugjatë për të arritur në Evropë”./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat