Gjermania thellon masat për kufizimin e jetës sociale

Evropë

Gjermania thellon masat për kufizimin e jetës sociale

Më: 17 mars 2020 Në ora: 05:51

Mbi 7000 të infektuar dhe 17 të vdekur deri të hënën në mbrëmje. Firma gjermane CureVac merr financim nga BE për gjetjen e vaksinës kundër Covid-19.

Numri i rasteve të konfirmuara me virusin korona në Gjermani vazhdoi të rritet ndjeshëm: deri të hënën në mbrëmje instituti Robert Koch regjistronte 6 012 persona të infektuar - 1174 më shumë se një ditë më parë, si dhe 13 të vdekur. Ndërkohë, Universiteti Johns Hopkins nga Baltimora e ShBA-ve, ka shifra pak më të larta, sipas tij numri infektimeve në Gjermani janë mbi 7,100. dhe 17 te vdekur. 
Doni të njiheni me shifrat aktuale rreth virusit korona? - Klikoni në këtë hartë  interaktive të Universitetit ”Johns Hopkins“ në Baltimore, SHBA.

Të  hënën Gjermania e kufizoi tej mase qarkullimin ndërkufitar, nderkohë që Bashkimi Evropian ka ndaluar hyrjen e jo shtetasve të BE-së për 30 ditë. Ndërkohë kancelarja Angela Merkel tha se do të ndalohen edhe udhëtimet turistike brenda dhe jashtë vendit. Këtë e vendosi shtabi i krizës së qeverisë federale në takimin e së hënës dhe në marrëveshje me landet. Në shumë pika kufitare të Gjermanisë dhe vendeve fqinje janë rritur kontrollet. 

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, e cila i prezantoi masat të hënën në mbrëmje në Berlin, tha se ndër të tjera do të mbyllen baret, pabet, kinematë, tetrot, kopshtet zoologjike, parqet e kohës së lirë dhe parqet e kafshëve, qëndrat sportive private dhe publike, bordelet, parqet e lojërave. Qeveria Federale i formuloi ndalesat si direktiva, zbatimi i tyre është në kompetencë të secilit land. 

Të hapura do të mbeten ndër të tjerat,  supermarketet, farmacitë, bankat, pikat e karburantit, flokëtoret. Edhe zejtarët do të vazhdojnë veprimtarinë e tyre. Ndërsa restorantet do të jenë të hapura vetëm nga ora 6 deri në orën 18,00.

Ministri gjerman i financave, Olaf Scholz, u bëri thirrje kompanive në vend që t’I  shfrytëzojnë tani kreditë e vëna në dispozicion nga qeveria për të kapërcyer këtë periudhë. Sipas ministrit gjerman të ekonomisë, Peter Altmaier, Gjermania do të futet në borxh, në rast nevoje, për ta përballuar demet ekonomike te shkaktuara nga  pandemia. „Gjermania ka qenë shumë e suksesshme në 20 vitet e shkuara dhe ne jemi të gatshëm që, për të përballuar shpenzimet, të hyjmë edhe në borxh, nëse nuk bëhet ndryshe”, tha Altmaier për televizionin publik gjerman, ARD. 

CureVac merr financim nga BE
 
Ndërsa në SHBA tashmë ka filluar testimi i një vaksine kundër virusit pandemik, firma nga Tübingeni, CureVac, do të fillojë testimet në qershor. Bashkimi Evropian vendosi t’i japë asaj një kredi prej 80 milionë euro. Kryetarja e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen tha përmes  një mesazhi në twitter: 

“Kam telefonuar me përfaqësuesit e CureVac, një fimë shumë inovative që po punon për të gjetur një vaksinë kundër virusit korona. BE-ja e ka mbështetur që herët hulumtimin e tyre dhe do t’i financojë sërish. Është e rëndësishme të gjendet sa më shpejtë një vaksinë që do të ndihmojë gjithë botën.”

Më parë ishte raportuar se administrata e SHBA-ve kishte shprehur dëshirën të blinte të drejtat e vaksinimit. Kancelarja gjermane, Angela Merkel,  tha se debati për shitjen e te drjtave në Shtetetet e Bashkuara të Amerikës është “mbyllur”. Merkel përmendi deklaratat e aksionerit kryesor, Dietmar Hopp, i cili kishte thënë në një intervistë më parë se nuk do të pranonte që një vaksinë që zhvillohet në Gjermani të shitej ekskluzivisht në SHBA. / DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat