Shkak coronavirusi, Zvicra bën mobilizimin më të madh të ushtrisë që nga Lufta e Dytë Botërore

Evropë

Shkak coronavirusi, Zvicra bën mobilizimin më të madh të ushtrisë që nga Lufta e Dytë Botërore

Më: 17 mars 2020 Në ora: 08:41
Ushtarët

Zvicra mobilizoi deri në 8,000 anëtarë të ushtrisë të hënën dhe ndaloi të gjitha ngjarjet publike dhe private nga mesnata, pasi deklaroi coronavirusin me përhapje të shpejtë një emergjencë “të jashtëzakonshme” që kërkoi masa më radikale.

Sipas Reuters, mobilizimi ushtarak, më i madhi i Zvicrës që nga Lufta e Dytë Botërore, përfshin një batalion spitalor dhe vjen pasi qeveria vendosi që masat e miratuara javën e kaluar ishin të pamjaftueshme për të kontrolluar përhapjen e epidemisë.

Ndryshe, më shumë se 2,330 njerëz kanë dalë pozitivë në testet për coronavirus deri më tani në Zvicër, dhe të paktën 14 njerëz kanë vdekur.

Siç thuhet më tej, Zvicra po zgjeron gjithashtu kontrollet kufitare me Gjermaninë, Francën dhe Austrinë.

Vetëm qytetarët zviceranë dhe banorët dhe njerëzit që udhëtojnë për në Zvicër për biznes mund të hyjnë në vend.

“Ne e dimë se situata do të përkeqësohet para se të përmirësohet, por do të përmirësohet”, ka thënë ministri i Shëndetësisë, Alain Berset në një konferencë shtypi në Bern.

Siç është raportuar më herët, “të gjitha dyqanet, tregjet, restorantet, baret, institucionet argëtuese, si muzetë, bibliotekat, kinematë, sallat e koncerteve, teatrot, qendrat sportive, pishinat dhe zonat e skive janë të mbyllura”.

Ndërkohë, “dyqanet ushqimore, stacionet e benzinës, hotelet, bankat dhe zyrat postare janë ndër objektet që do të qëndrojnë të hapura”.

Gjithashtu Qeveria e Zvicrës njoftoi të premten se do të ndajë 10.5 miliardë dollarë menjëherë për të ndihmuar kompanitë dhe punonjësit për ta përballuar këtë krizë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat