Evropa pas COVID-19

Evropë

Evropa pas COVID-19

Më: 18 mars 2020 Në ora: 06:07
Foto ilustrim

Në fshatrat italiane të Lombardisë në veri të vendit dëgjohen këmbanat që regjistrojnë një tjetër vdekje nga COVID-19.

Italia e veriut është epiqendra e epidemisë në Evropë. Italianët shprehen se nuk mendonin që do të përjetonin në kohët moderne një epidemi që do të vinte në provë të gjitha kapacitetet e vendit.

Anketat tregojnë se 60% e Italianëve janë pro masave që ndalojnë lëvizjet dhe kontaktet por tani në javën e dytë që kalojnë të mbyllur në shtëpi, Italianët pyesin veten se sa herë të tjera do të dëgjojnë këmbanat me “këngën e vdekjes”. Për sa kohë vendi do të jetë i paralizuar nga një virus që u shfaq 9,000 km larg në një qytet kinez që nuk ia dinin emrin?

Qeveria italiane vuri në zbatim karantinën, e cila u përdor për herë të parë në Venecia në shekullin e 14 për të mos lejuar përhapjen e mortajës.

Në mungesë të një vaksine, apo të terapive kuruese, karantina është e vetmja mënyrë e mbrojtjes.

Nëpër ballkone e dritare po shfaqen pankarta të shkruara me dorë “Do t’ia dalim”. Megjithatë, shumë veta shqetësohen se sa do të zgjasë lufta kundër një armiku të padukshëm dhe pasojat që mund të ketë mbi atdheun e tyre.

Italianët nuk janë të vetmit në Evropë që bëjnë këtë pyetje. Sado që situata aktuale duket e frikshme dhe anormale, pritet që pasojat afatgjata politike dhe ekonomike të sfidës më të madhe të shëndetit publik që nga gripi spanjoll i 1918, të jenë kolosale.

Historianët thonë se përveç karantinës, epidemitë e mëparshme lanë gjurmë të rënda në shoqëri. Mortajat dhe sëmundje të tjera u kanë dhënë një trajtë të re shoqërive që kanë goditur, duke ndryshuar sisteme politike, duke sjellë destabilitet, duke vonuar zhvillimin ekonomik si dhe ndryshuar marrëdhëniet sociale.

“Mortaja shkaktoi shok ekonomik në Itali që ndoshta mund të konsiderohet një ndër shkaqet që e la relativisht pas ekonominë italiane krahasuar me vendet e Evropës Veriore,” thotë historiani Italian Guido Alfani në një studim mbi mortajën e shekullit të 17.

Në Angli, pasojat afatgjata të mortajës mesjetare ishin shkatërrimtare, sipas historianit Tom James, dhe u ndjenë në “bujqësi, fe, ekonomi dhe në shtresat klasore. Britania mesjetare ndryshoi në mënyrë të pakthyeshme,” shkruante historian në një koment të vitit 2017 për BBC-në.

Historianët mendojnë se mortaja ndryshoi rendin social të Anglisë duke shpejtuar fundin e feudalizmit.

Gripi spanjoll, i cili vrau 25 milionë njerëz në shkallë globale, përfshirë 500,000 amerikanë, ndryshoi kursin e historisë dhe mund të ketë ndihmuar aleatët perëndimorë të fitonin Luftën I Botërore thonë historianët. Gjenerali gjerman Erich Ludendorff u pat shprehur disa vite pas luftës se Gripi Spanjoll ia vodhi fitoren.

Gripi ndikoi jo vetëm tek lufta por edhe tek paqja. Gazetarja britanike Laura Spinney shkruante në 2017 se gripi mund të ketë qenë një ndër shkaktarët e hemorragjisë cerebrale të Presidentit Woodrow Wilson, kur po rimëkëmbej nga gripi.

“Pas hemorragjisë cerebrale, Wilson mbeti i paralizuar.” Në aspektin politik, shkruan gazetarja, presidenti i sëmurë e pati të pamundur të bindë Kongresin për t’iu bashkuar Ligës së Kombeve.

Analistët thonë se është e pamundur të parashikohet ndikimi i COVID-19, qoftë nga numri i viktimave apo nga kostot ekonomike. Pavarësisht se si do të shpalosen ngjarjet, epidemia do të lërë gjurmë të dukshme.

Në të kaluarën, epidemitë krijonin kriza demografike, pasi shumë rajone mbeteshin pa krah pune. Nuk pritet që koronavirusi, edhe në parashikimet më të zymta, të shkaktojë krizë demografike. Por paralizimi i prodhimit do të ketë pasoja ekonomike, ndoshta duke sjellë recesion ose depresion dhe mund të ketë edhe pasoja politike.

“Ndikimi ekonomik do të jetë i dukshëm, por është më e vështirë të parashikohet ndikimi politik, i cili mund të ndjehet për një kohë më të gjatë,” thotë John Scott, kreu i një firme për analizimin e rrezikut me Grupin Zurich Insurance.

“Votuesit nuk i marrin me sy të mirë politikanët që dështojnë në detyrën bazë për të mbrojtur qytetarët,” tha ai në një koment në Forumin Ekonomik Botëror.

Udhëheqësit politikë të Evropës, pavarësisht nga ideologjia, përballen me pasoja deri në humbje në votime, nëse shihen si të paefektshëm si rezultat i epidemisë.

Kryeministri i Britanisë, Boris Johnson, brenda pak ditësh ndryshoi kurs, i ndeshur me parashikime që deri në 250,000 vetë mund të vdesin në Britani nëse sëmundja avancon e pakontrolluar.

Vendet anëtare të Bashkimit Evropian kanë braktisur parimin e kufijve të hapur duke vendosur kontrolle kufitare, megjithëse autoritetet e BE-së në Bruksel bëjnë thirrje për një përgjigje të koordinuar, si Evropë e bashkuar.

Ka njerëz që besojnë se modeli Shengen me udhëtim të lirë nuk do të rikthehet më kurrë si më parë edhe pasi të jetë zhdukur virusi.

Luca Zaia, guvernator i Rajonit të Venetos, një ndër më të prekurit në Itali, tha për gazetarët se Evropa pa kufij “pa zhduket nga ekzistenca”.

Revista The Economist shkruante javën e kaluar se koronavirusi do të shërbejë si argument për populistët, të cilët flasin kundër globalizimit dhe kanë kundërshtuar dobësimin e sovranitetit shtetëror.

Por vëzhgues të tjerë thonë se COVID-19 mund të ketë ndikimin e kundërt duke nxitur bashkëpunim më të madh ndërkombëtar dhe solidaritet më të gjerë, siç ndodhi pas Gripit Spanjoll që solli ngritjen e sistemeve të shëndetit publik dhe të agjencive të para ndërkombëtare për të luftuar epideminë.

Aspekti shëndetësor është një ndër të panjohurat. Mbetet gjithashtu për t’u parë se si do ta përballojë Evropa ekonomikisht këtë periudhë që mund të rezultojë në krizën të re borxhi.

Ashtu siç ndodhi gjatë krizës financiare të 2008-ës, kjo krizë e shëndetit publik mund të sjellë një tërmet që rrëzon forcat aktuale politike në Evropë dhe hap një kapitull të ri politik në këtë kontinent.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat