COVID-19 ‘mbërthen’ Evropën: Shtrëngohen masat, ja çfarë po ndodh

Evropë

COVID-19 ‘mbërthen’ Evropën: Shtrëngohen masat, ja çfarë po ndodh

Më: 22 mars 2020 Në ora: 18:25
Foto ilustrim

Italia vendosi të mbyllë të gjitha bizneset që nuk kanë rëndësi thelbësore ndërsa numri i vdekjeve në vend nga koronavirus u rrit të shtunën me 793 raste të reja, duke e çuar totalin e përgjithshëm në 4.825.

Europa tashmë është epiqendra e shpërthimit dhe virusi vazhdon të përhapet. Rastet e reja në Kinë, atje ku e ka zanafillën shpërthimi, kanë nisur të bien.

Të shtunën Italia njoftoi shifrën më të madhe një ditore në viktima si pasojë e virusit që prej shpërthimit të tij, në muajin dhjetor. Në Itali janë më shumë se 53,578 raste të prekurish me COVID-19 që rendisin këtë vend të dytin në botë pas Kinës për nga përmasat e përhapjes së sëmundjes.

Spanja, vendi i tretë në botë më i goditur, raportoi gjithashtu të shtunën numrin më të madh të vdekjeve brenda 24 orëve, 324 raste të reja, duke e rritur totalin në 1.375. E diela shënoi një tjetër rritje të madhe për këtë vend, sot njoftohen 1720 të vdekur dhe 28,572 të prekur nga koronavirusi. Zyrtarët spanjollë paralajmëruan se së shpejti sistemi i kujdesit shëndetësor në vend nuk do të jetë në gjendje të përballojë fluksin e të prekurve. Ata njoftuan gjithashtu planet për të shndërruar një qendër konferencash në Madrid në një spital të improvizuar. Në fillim të kësaj jave, një hotel me katër yje po në Madrid, u shndërrua në spital.

Spitale të përkohshëm janë ngritur edhe në Gjermani një vend tjetër i goditur fortë nga pandemia. Autoritetet po përpiqen të ngrenë qendra të terapisë intensive që aktualisht kanë një kapacitet prej 28 mijë shtretërish. Të dielën në Gjermani u regjistruan më shumë se 23,129 raste personash të prekur nga virusi dhe 92 të vdekur. Zyrtarët gjermanë paralajmëruan se koronavirusi mund të godasë deri në 10 milionë persona në rast se nuk merren masat e duhura, përfshirë ajo që njihet si distancim shoqëror.

Në Britani kryeministri Boris Johnson ka urdhëruar mbylljen e restoranteve lokaleve e biznese të tjera për argëtim.

Singapori dhe Emiratet e Bashkuara Arabe raportuan dy vdekje të shtunën, viktimat e tyre të para nga koronavirusi./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat