Koronavirusi, test i fortë për Bashkimin Europian

Evropë

Koronavirusi, test i fortë për Bashkimin Europian

Më: 22 mars 2020 Në ora: 18:25
Yuval Noah Harari

Përmbledhje e intervistave që historiani dhe autori i njohur hebre Yuval Noah Harari ka dhënë ditët e fundit për rrjetet prestigjoze televizive BBC dhe CNN

Njerëzimi nuk ka njohur një epidemi me përhapje të tillë qysh prej së paku 100 vjetësh. Ajo që e bën këtë epidemi kaq të frikshme dhe alarmuese është fakti se asnjëri nga ne, njerëzit modernë nuk ka një eksperiencë jetësore të përballjes me një pandemi globale.

Patjetër në një perspektivë më të gjerë të gjithë e dimë se njerëzimi në gjithë historinë e ekzistencës së tij është përballur në më shumë se sa një rast me epidemi të tilla, por asnjëherë më shumë se sa sot nuk ka qenë i përgatitur dhe nuk ka pasur mjetet dhe njohuritë e nevojshme për t’i tejkaluar ato.

Ajo që më shqetëson më shumë mua si qytetar i botës është moskoordinimi dhe mungesa e bashkëpunimit midis shteteve, po ashtu edhe mungesa e besimit midis një kombi e një tjetri, si dhe midis një kombi dhe qeverisë së vet.

Mund ta quajmë pa dyshim një rezultante të situatave me të cilat ne jemi përballur gjatë viteve të fundit si, për shembull, kriza ekonomike e 2008-ës, e cila padyshim ishte një krizë e një natyre tjetër, por që ndan me këtë të sotmen ngjashmëri të shumta në raportet dhe qasjen e institucioneve ndërkombëtare ndaj saj. Në vitin 2008 pati disa liderë botërorë që udhëhoqën ekonominë botërore dhe shmangën katastrofën, por në vitet e fundit ne shohim që mosbesimi midis shteteve dhe ndaj strukturave ndërkombëtare është shtuar.

Kujtoni sesi qe pikërisht Amerika që udhëhoqi përballjen me krizën ekonomike të 2008-ës apo përballjen me epideminë e fundit që kemi hasur atë të Ebolës në 2014-tën, por sot po i njëjti shtet refuzon ta marrë këtë rol të liderit botëror. Edhe nëse Amerika do ta merrte këtë rol në një moment të dytë, askush nuk do ta ndiqte një lider që ka për moto “Populli im i pari”.

Një frikë tjetër me të cilën po përballemi të gjithë është fakti se një shpërndarje edhe më e madhe e këtij virusi do të bëjë që ai të evoluojë, prandaj çdo shtet po nxiton të përdorë si masë mbrojtëse mbylljen e kufijve. Por izolimi nuk funksionon në ndaljen e një epidemie të tillë, ajo që është arma më e mirë për t’i bërë ballë është informimi dhe mbështetja e sistemeve shëndetësore kudo nëpër botë, pra duhet të ngrejmë barriera jo midis kombeve por midis njerëzimit dhe virusit. Është iluzion të mendosh që ti mund t’ia ndalësh hyrjen këtij virusi thjeshtë duke mbyllur kufijtë e vendit tënd.

Duhet ta kuptojmë sa më shpejtë mësimin e gjithë kësaj që po ndodh, një virus që godet Kinën apo Afrikën nuk është dhe nuk duhet të jetë një problem vetëm i këtyre dy popujve por i gjithë globit, sepse sa hap e mbyll sytë kthehet në një kërcënim për të gjithë specien. Na duhet sa më parë të ngrejmë struktura simotra të Organizatës Botërore të Shëndetësisë kudo dhe të rrisim solidaritetin midis shteteve. Çfarë mendoni se duke mbyllur kufijtë dhe pa bërë asgjë për vendet më të prekura, por thjesht duke pritur brenda kufijve tuaj, pas disa kohësh ndërkombëtarët do të vijnë dhe do t’ju ndihmojnë?

Ky është padyshim një testim i fortë i Bashkimit Europian, të cilit ka kohë që i është tronditur uniteti dhe, me sa duket, po i lëkunden të gjitha strukturat. Nëse vendet e tjera të BE-së nuk i vijnë në ndihmë Italisë sa më parë, atëherë ky virus jo vetëm që do të shkatërrojë jetë njerëzish por do t’i japë fund edhe këtij uniteti.

Në situata të tilla kur popujt e kanë humbur besimin ndaj udhëheqësve të tyre është shumë e vështirë që të zbatohet çdo udhëzim apo të besohet çdo informacion i dhënë prej qeverive, për më tepër ky lloj karantinimi justifikon praktika monitoruese ndaj të gjithë popullatës që shumë herë për të penguar rishfaqjen e një epidemie mbahen në fuqi edhe pas mbarimit të situatës së emergjencës epidemike, duke i dhënë jetë kështu një regjimi totalitar.

Ne po përballemi me dilemën midis ruajtjes së privatësisë apo shëndetit dhe ky i fundit sigurisht prevalon. Njerëzit nuk do të kenë më privatësi në mënyrë që shteti tek i cili kanë humbur besimin t’ju sigurojë nëpërmjet monitorimit të përhershëm të përditshmërisë dhe lëvizjeve të tyre, t’ju garantojë shmangien e epidemive.

Një tjetër sfidë me të cilën po përballemi dhe që do të ketë impakt shumë të madh social është fakti që njerëzit janë kafshë sociale dhe si të tilla e vuajnë shumë izolimin dhe mungesën e kontaktit midis tyre. Ky virus përdor cilësitë tona më të mira për t’u përhapur: socializimin, të qenurit pranë e të ardhurit në ndihmë njëri-tjetrit, të gjitha këto virtyte i kthen në një armë masive të shfarosjes globale. Ka dy mënyra për t’u qasur ndaj kësaj situate: ajo e të informuarit dhe fitimit të besimit të popullatës në mënyrë që vullnetarisht të kthehet në një kafshë jo sociale, së paku derisa të kalojë rreziku i epidemisë, ose ajo e totalitarizmit, ku qeveritë do të ushtrojnë pushtetin që u është dhënë për të na detyruar të zbatojmë udhëzimet e tyre duke na kontrolluar vendndodhjen, temperaturën trupore, apo deri edhe se kë kemi puthur e përqafuar dhe se kur ka ngjarë kjo gjë. Kjo me shumë gjasa do ishte e zbatueshme në mesjetë, por në ditët e sotme do të ishte një praktikë tërësisht e gabuar dhe e rrezikshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat