Spanja blen 467 milion dollarë furnizime mjekësore nga Kina - Bota Sot
Spanja blen 467 milion dollarë furnizime mjekësore nga Kina

Evropë

Spanja blen 467 milion dollarë furnizime mjekësore nga Kina

Nga: E.B Më: 25 mars 2020 Në ora: 17:29
Ilustrim

Spanja ka blerë furnizime mjekësore në vlerë 467 milion dollarë nga Kina, tha të mërkurën ministri spanjoll i shëndetësisë.

Ministri i Shëndetësisë Salvador Illa tha se Presidenti i Spanjës "bisedoi përmes telefonit me Presidentin e Kinës disa ditë më parë, dhe që atëherë e gjithë qeveria ka punuar së bashku për të nënshkruar këtë kontratë dhe për ta bërë këtë blerje."

Pajisjet përfshijnë 550 milion maska, 5,5 milion "teste të shpejta", 950 ventilatorë dhe 11 milion doreza. Pajisjet duhet të mbulojnë nevojat mjekësore në Spanjë për rreth katër deri në tetë javë, tha Illa.

Ministri gjithashtu njoftoi se dy kompani në Spanjë tashmë po prodhojnë pajisje mjekësore.

Në përgjigje të rritjes së numrit te vdekjeve, të cilat kanë tejkaluar numrat e Kinës, Illa tha: "Ne thamë se kjo javë do të jetë e vështirë, numrat janë të ashpër. Ka të ngjarë që numri i vdekjeve të rritet për disa ditë të tjera derisa të arrijmë në kulm ".

Spanja tani ka të paktën 3,434 vdekje nga koronavirusi, por autoritetet thonë se numri i pacientëve të shtruar në spital është "stabilizues".

Fernando Simón, shefi i Qendrës për Emergjencat, shpjegoi në konferencën për shtyp të Mërkurën se niveli i infeksionit po ngadalësohet.

"Sa i përket rritjes së rasteve të reja, nëse tashmë nuk jemi në kulmin, ne jemi shumë afër," tha ai, raportoi CNN, transmetoi Bota Sot.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat