Panik në Britani për pasojat ekonomike të koronavirusit

Evropë

Panik në Britani për pasojat ekonomike të koronavirusit

Më: 26 mars 2020 Në ora: 06:25
Ilustrim

Britania iu bashkua disa vendeve evropiane duke urdhëruar mbylljen e të gjitha dyqaneve dhe shërbimeve jothelbësore, ndërsa vazhdon të rritet numri i rasteve me virusin COVID-19. Ndërsa korporatat e mëdha ndoshta mund të jenë në gjendje të përballojnë një pjesë të dëmit, bizneset më të vogla kërcënohen nga humbja e menjëhershme e të ardhurave. Njofton nga Londra, korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell.

Për pesë shekuj, bari “Bull” në qytetin Ditchling, në Britaninë e jugut, ka qenë një vend i gëzueshëm për të ngrënë dhe për të pirë. I ka mbijetuar luftërave dhe revolucioneve. Tashmë, në vitin 2020, koronavirusi ia mbylli dyert. “Biznesi ra brenda natës. Për një bar si i yni dhe të tjerë që janë gjithnjë plot, kjo ishte tmerruese. Kemi mbi 35 punonjës këtu. Janë pra shumë njerëz për të cilët jemi të shqetësuar tashmë”, thotë menaxherja Molly Raftery.

Shumë biznese britanike i kanë hequr tashmë punonjësit. Zonja Raftery është e vendosur t’i mbajë punonjësit e saj në punë. “Shqetësimi ynë është për çfarë do të ndodhë në vazhdim. Pra, nëse heq stafin nga puna, ku gjendesh kur gjithë kjo të mbarojë, dy apo tre muaj më vonë? Nëse i heq njerëzit, nuk kthehesh dot menjëherë tek kapaciteti normal”, thotë zonja Raftery.

Britania i shtrëngoi më tej masat nga e hëna, duke urdhëruar mbylljen e të gjitha dyqaneve dhe shërbimeve jothelbësore. “Asnjë kryeministër nuk dëshiron të vendosë masa të tilla. Jam i vetëdijshëm për dëmin dhe shqetësimet ndaj jetës së njerëzve, bizneseve dhe vendeve të punës”, tha Kryeministri Boris Johnson.

Britania ka premtuar gati 400 miliardë dollarë hua për bizneset. 80% e pagave të punonjësve do të paguhen nga shteti, deri në një maksimum prej 3 mijë dollarësh në muaj. Masa të tilla të paprecedenta po merren në të gjithë Evropën. “Mund të përballemi me një shok domethënës ekonomik për shkak të rënies së kërkesës nga konsumatorët. Kjo po përfshin tani jo vetëm linjat ajrore, por edhe tregtarët, hotelet dhe pothuajse çdo gjë në sektorin e shërbimeve”, thotë Michael Hewson, analist i tregjeve në kompaninë “CMC Markets”.

Në aeroportin britanik “Heathrow”, aeroplanët nuk lëvizin. Firma kontabiliste “KPMG” parashikon se ekonomia do të tkurret me 2.6% këtë vit, ndërsa firma “Capital Economics” parashikon një tkurrje me 20% gjatë tre viteve të ardhshme. Zonja Raftery thotë se po merr mbështetje të ngrohtë nga vendasit.

“Ne kemi ofruar çdo ditë një shërbim për njerëzit. Ky u hoq papritur duke u shkaktuar atyre një shok të madh. Kemi besim se mund të marrim masat dhe të jemi gati kur të hiqet masa e ndalimit”, thotë zonja Raftery. Për të tjera biznese, realiteti i mbylljes ka të ngjarë të sjellë falimentimin. Në kodrat e parkut kombëtar përreth qytetit Ditchling, shumë vendas mundohen të shkëputen nga kriza. Kur të agojë epoka e pas-koronavirusit, do të zbulojë një panoramë krejt të ndryshme ekonomike./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat