Franca shënon rekord ditor me 418 viktima të reja të Coronavirusit

Evropë

Franca shënon rekord ditor me 418 viktima të reja të Coronavirusit

Më: 31 mars 2020 Në ora: 12:17
Ilustrim

Autoritetet shëndetësore të Francës i kanë raportuar 418 vdekje të reja brenda 24 orëve të fundit, duke e çuar në 3024 numrin e përgjithshëm të të vdekurve.

Rastet e reja e bënë Francën vendin e katërt në botë që e kalon shifrën prej 3 mijë viktimave të virusit pas Kinës, Italisë dhe Spanjës, shkruan “France24”.

Këto shifra vlejnë vetëm për viktimat e shënuara në spitale, por autoritetet thonë se së shpejti do të kenë mundësi të mbledhin të dhëna edhe në shtëpitë për të moshuar, që pritet ta rrisë numrin e rasteve.

Drejtori i Agjencisë së Shëndetësisë, Jerome Salomon, tha gjatë një konference për gazetarë se numri i përgjithshëm i të infektuarve ka shkuar në 44 mijë e 550 persona me një rritje prej 11 për qind në 24 orët e kaluara.

Megjithatë, ky numër mund të jetë shumë më i lartë, sepse vetëm personat që po vlerësohen si shumë të rrezikuar nga infektimi po testohen nga mjekët.

Salomon tha se mbi 5100 pacientë janë në gjendje serioze. Franca është vendosur në karantinë që nga 17 marsi në përpjekje për ta parandaluar përhapjen e virusit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat