Covid-19/ Gjermanët në mes të qetësisë dhe frikës

Evropë

Covid-19/ Gjermanët në mes të qetësisë dhe frikës

Më: 9 prill 2020 Në ora: 06:06
Ilustrim

Gjermanët kryesisht shqetësohen për ekonominë, por jo aq shumë për shëndetin e tyre. Ky është rezultati më i rëndësishëm i disa sondazheve në lidhje me frikën në krizën e Coronas. Sa i frikëson gjermanët kriza e Coronas? Kompania e sigurimeve R + V prezantoi sondazhin e fundit. Rezultati i sondazhit përfaqësues e befasoi politologun e Heidelbergut, Manfred Schmidt. Ai e kryen hulumtimin për kompaninë e sigurimeve që prej 15 vjetësh.

Përveç frikës së shtuar se mund të thellohet rënia ekonomike, gjermanët aktualisht janë mjaft të qetë për shëndetin dhe për punën e tyre. “Ata duken çuditërisht të shpenguar ose të qetë,” thotë Schmidt.

Pak frikë nga infektimi

Ai që beson se gjermanët janë shumë të shqetësuar për shëndetin e tyre e ka gabim. Në krahasim me vitin 2019, frika për një sëmundje të rëndë është rritur vetëm me gjashtë pikë përqindjeje, nga 35 në 41 përqind. Kjo është vlera e dytë më e ulët që nga viti 1992, më e ulta ishte vitin e kaluar.

“Ky është një lajm sensacional. Me të vërtetë më habiti”, thotë Schmidt. “Kjo ka të bëjë me një besim të çuditshëm se vetë nuk do të kesh probleme me shëndetin dhe se rreziku është diku tjetër.” Sidoqoftë, shkencëtari pranon që mund të ketë luajtur një rol struktura moshore e të anketuarve. “Rreziku është më i lartë tek të moshuarit – këtu pyetja iu shtrua të gjitha grupmoshave.

Që para se të shpërthejë masivisht pandemia, instituti i studimit të opinionit infratest-dimap kishte arritur rezultate disi të ndryshme në pyetjen për tendencën në Gjermani. Në atë kohë, më shumë se gjysma e gjermanëve (51%) shprehen frikën se mund të qenë infektuar vetë me virusin ose anëtarët e familjes së tyre.

Recesion i afërt

Sidoqoftë, në të gjitha studimet del në pah se ekziston shqetësimi në rritje për një rënie ekonomike. Në studimin e R + V, krahasuar me vitin 2019 kemi rritje spektakolare me 23 përqind në 58 përqind. Frika nga recesioni megjithatë nuk ecën paralel me frikën e humbjes së vendit të punës.

Vetëm një e katërta e të pyeturve janë të shqetësuar për punën e tyre – po aq sa në vitin 2019 dhe gjithsej më pak se në 30 vjet. Për Schmidtin, kjo ka shumë të bëjë me masa të tilla si masat për punën me kohë të shkurtuar dhe me financime të tjera të qeverisë. Schmidt beson se këtë shumica e gjermanëve e shohin këtë si të dobishme dhe qetësuese.

Sidoqoftë, të gjitha institutet e sondazhit bien dakord për një gjë: Në sytë e gjermanëve, qeveria bën një punë të mirë në krizë dhe lavdërohet për këtë. Ky është gjithashtu rezultat i studimit aktual të R + V. Në dhjetë vitet e fundit, pothuajse gjysma e të anketuarve mendonin se politikanët janë të mbingarkuar në parim nga krizat.
Gjatë krizës financiare në vitin 2010 (62 përqind) dhe krizës së refugjatëve në vitin 2016 (65 përqind) ishin pothuajse dy të tretat.

Në krahasim me këtë, thotë Manfred Schmidt, gjykimi i gjermanëve në krizën e Coronas për politikën është mjaft i butë. Sipas sondazhit të fundit, vetëm 46 përqind e gjermanëve mendojnë se politikanët janë të mbingarkuar – kjo është një nga vlerat më të ulëta në dhjetë vitet e fundit./DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat