Rusia i izolon 15 mijë ushtarë, nuk e respektuan distancën

Evropë

Rusia i izolon 15 mijë ushtarë, nuk e respektuan distancën

Më: 20 prill 2020 Në ora: 16:51
Foto ilustrim

Rusia i ka vendosur në karantinë rreth 15 mijë ushtarë, të cilët kishin marrë pjesë në përgatitjet për paradën e Ditës së Fitores, për shkak se nuk i kanë respektuar rregullat për mbajtjen e distancës fizike.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se do t’i kthejë këta ushtarë në bazat e tyre, ku do të qëndrojnë në karantinë për dy javë. Kjo ministri nuk njoftoi nëse ndonjëri prej ushtarëve është konfirmuar si i infektuar me koronavirus, shkruan “The Guardian”.

Njoftimi erdhi disa ditë pasi presidenti rus, Vladimir Putin, vendosi për shtyrjen e shënimit të Ditës së Fitores, ceremoni tradicionale që mbahet çdo vit më 9 maj. Kjo datë shënohet me parakalimin e mijëra ushtarëve në Sheshin e Kuq të Moskës dhe e paraqet fitoren kundër Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore.

Disa njësi dhe akademi ushtarake në Rusi tashmë janë prekur nga koronavirusi. Javën e kaluar, Ministria e Mbrojtjes konfirmoi se dhjetëra kadetë dhe instruktorë nga akademia detare “Nakhimov” janë infektuar me virusin e ri. Sidoqoftë, asnjëri prej të infektuarve nuk kishte marrë pjesë në ushtrimet e mijëra ushtarëve, të cilët janë vendosur në karantinë.

Më herët gjatë këtij muaji, në internet u publikuan pamje të mijëra ushtarëve që qëndronin shumë afër njëri tjetrit. Ministria e Mbrojtjes më pas konfirmoi se ka mbajtur ushtrime për paradë më 1 prill.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat