Ndikimi i koronavirusit – Rresht i gjatë i njerëzve që presin për ushqim falas në Zvicër

Evropë

Ndikimi i koronavirusit – Rresht i gjatë i njerëzve që presin për ushqim falas në Zvicër

Më: 9 maj 2020 Në ora: 17:48
Foto ilustrim

Koronavirusi i cili ka përfshirë tërë globin, duket se ka ‘varfëruar’ edhe shtetet me standarde të larta.

Kjo pasi mbi 1 mijë persona i janë bashkuar radhës në pritje për të marrë paketime ushqimi falas të shtunën në Zvicër, që njihet si një nga vendet më të pasura në botë. Kjo paraqet ndikimin e epidemisë së koronavirusit te punëtorët e varfër dhe migrantët që jetojnë pa dokumente valide në ‘Zvicrën e pasur’.

Radha e njerëzve është e gjatë mbi një kilometër, jashtë një salle të sporteve të akullit, ku vullnetarët kanë shpërndarë mbi 1 mijë e 500 paketime personave që filluan të rreshtoheshin që nga ora pesë e mëngjesit.

“Në fund të muajit i kemi xhepat bosh. Na duhet të paguajmë fatura, sigurime, të gjithat”, ka thënë Ingrid Berala, banore e Gjenevës që ka ardhur nga Nikaragua dhe punon me gjysmë orari. “Kjo është e mrekullueshme sepse ka ushqim për një javë, është lehtësim për një javë… Nuk e di si do të jetë java tjetër”, ka thënë Berala për Reuters.

Në shtetin me rreth 8.6 milionë banorë, në vitin 2018 kanë qenë 660 mijë persona të varfër, sipas Caritas-it, veçanërisht prindërit vetushqyes dhe ata që kanë nivel arsimor të ulët që nuk mund të gjejnë punë, transmeton koha.

Mbi 1.1 milionë njerëz rrezikohen nga varfëria, që do të thotë se kanë 60 për qind më pak sesa të ardhurat mesatare, që ishin 6.538 franga zvicerane për persona me orar pune të plotë më 2018.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat