Europa lehtëson masat e izolimit

Evropë

Europa lehtëson masat e izolimit

Më: 18 maj 2020 Në ora: 16:49
Ilustrim

Në disa vende të Europës ka hyrë në fuqi faza e dytë e lehtësimit të masave për parandalimin e përhapjes së koronavirusit të ri.

Nga Kosova, në Greqi, Spanjë madje edhe në Selinë e Shenjtë, në Vatikan, po rikthehen gradualisht aktivitetet publike.

Një numër shtetesh europiane kanë lehtësuar masat e izolimit kundër pandemisë së koronavirusit.

Nga vendet fqinje, Kosova rihapi të hënën floktoret dhe klinikat dentare, pikat e vogla të shitjes dhe transportin hekurudhor e urban, edhe ndërmjet qyteteve me autorizime të veçanta.

Kjo fazë e dytë do të zgjatë deri më 1 qershor dhe qytetarët do të mund të lëvizin katër orë në ditë.

Në Greqi, pikat arkeologjike, përfshirë Akropolin u hapën për herë të pas dy muajve gjendjeje të jashtëzakonshme, sikundër qendrat e mëdha tregtare, shkollat e mesme dhe udhëtimet në vend.

Me dekret qeverie, Italia po ashtu lehtësoi rregullat e karantinës, duke i hapur dyert objekteve të kultit dhe shumicës së bizneseve italiane, përfshirë hotelet, palestrat, parukeritë dhe bar-restorantet dhe pishinat.

“Për ne do jetë disi problem sepse punojmë më shumë nga turizmi. Është mirë për punonjësit dhe dyqanet por mendoj se turizmi do na mungojë.”

“Nuk kam punuar prej dy muaj e gjysmë. Sot është një ditë e bukur, emocionuese,” shprehen pronari dhe baristi i një lokali në Romë.

Si Italia, edhe Spanja prej ditësh po regjistrojnë më pak jetë të humbura nga lufta me koronavirusin, por ndryshe nga qytetet italiane, në Madrid dhe qendrat më të mëdha spanjolle, rregullat strikte do të vazhdojnë të aplikohen pasi autoritetet i druhen rrezikut të një vale të dytë pandemike.

Ky qëndrim u prit me protesta një ditë më parë.

“Qeveria mund t’i testojë njerëzit dhe ata që janë të shëndetshëm t’i kthehen punës, sepse pas koronavirusit, kryeministri Sançez do të jetë virusi më i keq që do rrënojë 47 milionë spanjollët.”

“Unë jam kundër të gjitha masave dhe mënyrës se si qeveria e ka menaxhuar krizën e kovidit, masa që po na kthejnë në komunizëm.”

Shkollat u rihapën gjatë ditës edhe në Belgjikë duke respektuar rregullat e distancimit social, ndërsa papa Françesku në Vatikan u paraqit fizikisht para një grupi të vogël besimtarësh katolikë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat