Spanja e bën obligative vendosjen e maskave edhe për fëmijët

Evropë

Spanja e bën obligative vendosjen e maskave edhe për fëmijët

Më: 20 maj 2020 Në ora: 12:55
Ilustrim

Spanja e ka bërë të obligueshme vendosjen e maskave në vende publike për të gjithë qytetarët, përfshirë fëmijët mbi moshën 6-vjeçare, ndonëse disa masa të tjera janë lehtësuar.

Në vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë thuhet se maskat duhet të vendosen në mjedise të hapura dhe të mbyllura në rastet kur është e pamundur mbajtja e largësisë prej dy metrave mes njerëzve. Vendimi do të hyjë në fuqi nga 21 maji, shkruan “BBC”.

Sipas të dhënave më të reja, Spanja i ka regjistruar 27,778 të vdekur dhe 232,037 raste të infektimeve me Covid-19, ndërsa ekonomia e varur nga turizmi pritet të tkurret për 12 për qind për shkak të kufizimit të qarkullimit që nga mesi i marsit.

Sidoqoftë, numri ditor i viktimave dhe rasteve ka shënuar rënie ditëve të fundit dhe kryeministri Pedro Sanchez po synon t’i largojë shumicën e masave deri në fund të qershorit, nëse vendi nuk goditet nga një valë e dytë e infektimit.

Për ta mbajtur kontrollin ndaj daljes graduale nga izolimi, qeveria po kërkon që gjendja emergjente të zgjatet edhe për dy javë. Pritet që Dhoma e Ulët ta votojë kërkesën e qeverisë të mërkurën. Për t’u miratuar, kërkesa duhet ta ketë edhe mbështetjen e një pjese të opozitës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat