Shpërthejnë protestat në Spanjë: Hiqeni izolimin!

Evropë

Shpërthejnë protestat në Spanjë: Hiqeni izolimin!

Më: 23 maj 2020 Në ora: 15:22
Ilustrim

Mijëra njerëz me vetura, motoçikleta e flamuj dolën të shtunën në rrugët e Madridit për të protestuar kundër masave të izolimit. Protesta u organizua nga një parti e së djathtës ekstreme.

Spanja ka qenë një ndër vendet me masat më të rrepta të izolimit që nga 14 marsi, por ka filluar t’i largojë ato gradualisht. Megjithatë, Madridi dhe Barcelona kanë mbetur me më shumë kufizime shkaku i numrit më të madh të rasteve.

Protestuesit kërkuan që kryeministri Pedro Sanchez dhe zëvendëskryeministri Pablo Iglesias të japin dorëheqje për shkak të mënyrës se si e kanë menaxhuar situatën e pandemisë dhe dëmit që ia kanë shkaktuar ekonomisë së vendit, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.

“Është koha që të bëhet një zhurmë e madhe kundër qeverisë së papunësisë dhe mjerimit, që i ka braktisur punëtorët dhe të vetëpunësuarit tanë”, thuhet në deklaratën e partisë së të djathtës ekstreme, Vox.

Kryetari i kësaj partie, Santiago Abascal, tha se qeveria spanjolle është drejtpërdrejt përgjegjëse për, siç tha ai, menaxhimin më të keq të krizës në tërë planetin.

Protestat kundër masave të izolimit filluan në lagjen e pasur “Salamanca” të Madridit javën e kaluar, kur njerëzit bënin zhurmë duke i goditur enët e metalta.

Përpos në Madrid, protesta të ngjashme me vetura pati edhe në Sevijë dhe Barcelonë.

Deri më tani, Spanja i ka regjistruar mbi 28 mijë të vdekur nga koronavirusi dhe rreth 234 mijë të infektuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat