TV serb: Në Beograd gjërat kanë filluar të ndryshojnë

Evropë

TV serb: Në Beograd gjërat kanë filluar të ndryshojnë

Më: 24 maj 2020 Në ora: 10:19
TV serb

Serbia njihet si një ndër shtetet që gëzon simpati të madhe për rusët. Megjithatë, në kohën kur në Ballkan veçmas ka një luftë ndaj ndikimit malinj rus, si duket edhe në Beograd gjërat kanë filluar të ndryshojnë.

Njëri nga televizionet më të shikuara, TV HAPPY, i cili mban anën e pushtetit në Serbi, dy ditë radhazi ka shfaqur një debat lidhur me ndikimin rus në Ballkan.

Darko Trifunovic, drejtor i Institutit për Siguri Nacionale dhe Internacionale në Beograd, gjatë programit të mëngjesit ka folur për mbështetjen që Rusia i pati dhënë presidentit të Malit të Zi, Milo Gjukanovic.

“Rusia e ka përkrahur presidentin e Malit të Zi Milo Gjukanovic në kohën kur u shpall pavarësia në vitin 2006, sepse në atë kohë vidhnin para nga turizmi në Mal të Zi. Edhe peshkopi Amfilohije, dhe të gjithë të tjerët nuk e kishin asnjë problem gjersa e shfrytëzonin turizmin”, është shprehur ai.

Më pas, ai ka shtuar se, kur Mali i Zi i vogël e dëboi Rusinë e madhe nga aty dhe hyri në NATO, atëherë shërbimet e fshehta ruse shkuan në Mal të Zi, e shfrytëzuan Kishën Ortodokse Serbe dhe popullin serb për t’i qëruar hesapet me Malin e Zi.

Ndërkaq udhëheqësi i televizionit, Milomir Maric, ka konstatuar se rusët duke iu falënderuar serbët, bëhen sikur janë superfuqi.

“Rusia është në rang me Italinë, e cila është në fund të pusit”, është shprehur ai.

Në program ishte edhe Dragan Petrovic, profesor universitar në Beograd, i njohur për qëndrime rusofilë, mirëpo në një ambient të tillë nuk kishte shumë hapësirë që ta lartësonte shumë Moskën.

Ndërsa lidhur me protestat në Mal të Zi, Darko Trifunovic ka thënë se në rast të ndonjë konflikti me serbët atje, Rusia do të dërgonte forca detare në Kotorr që t’i mbronte serbët, apo do t;I mbronte vetëm me stilin e “zjarrtë” të zëdhënëses së Kremilinit Maria Zaharova, e cila do ta dënonte ashpër këtë.

“Kthjelluni njerëzit e mi, kthjelluni o serbë!”, ka përfunduar profesori i shkencave të sigurisë Darko Trifunovic.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat