Franca gati për sezonin turistik: Nga e marta hapen baret, restorantet, plazhet dhe parqet

Evropë

Franca gati për sezonin turistik: Nga e marta hapen baret, restorantet, plazhet dhe parqet

Më: 30 maj 2020 Në ora: 21:30
Foto ilustrim

Franca të martën kalon në fazën e dytë të lehtësimit gradual të kufizimeve prej pandemisë. Vendi synon të rikuperojë humbjet në industrinë e vet të turizmit. Operatorët kanë dyshime për të ardhmen e afërt.

Bizneset në rivierën franceze janë në mëdyshje a mund të shpëtohet sezoni turistik në këtë kohë pandemie.

Rreth 90 milionë turistë të huaj vizituan vendin dy vite më parë, duke i sjellë ekonomisë rreth 2,3 trilionë euro.

Nga dita e martë, qeveria franceze do rihapë plazhet dhe restorantet, bareve e kafenetë, dhe do heqë kufizimet për lëvizjet brenda vendit.

Por në qytetin portual të Nisës, në juglindje, operatori i një plazhi privat thotë se nuk e di a do arrijë këtë verë që t'i shfrytëzojë si më parë hapësirat e bollshme që disponon.

Punonjësit sezonalë gjithashtu janë në pritje të përgjigjes në varësi të kërkesës për punë.

"Nuk e dimë fare si do përfundojë, përderisa turistët nuk janë ende duke ardhur nga vendet e tjera. Për fat të keq, mendoj se edhe stafi ka për të qenë i vogël sepse nuk ka klientë që t'u shërbejnë."

Edhe kryeqyteti francez po bëhet gati për fazën tjetër të lehtësimeve nga java e ardhshme, tani që qendra nuk konsiderohet më zonë e kuqe.

Në Paris, për shkak të dendësisë së popullsisë, do të ketë më shumë kufizime sesa në qytetet e tjera.

Me rregullat e reja, do të lejohet të operojnë vetëm bar-restorantet me ambiente të jashtme, me një distancë jo më të vogël se 1 metër mes tavolinave.

Kjo i ka lënë të pakënaqur pronarët e tyre dhe disa qytetarë.

"Do fillojmë ngadalë duke rihapur kuzhinën, duke rigjetur kontaktet me furnitorët, avash-avash, por me siguri që ato tre tavolinat jashtë nuk do na sigurojnë jetesën."

"Për fat të keq jo të gjitha këto biznese kanë për t'u hapur sepse shumica nuk kanë ambiente jashtë, për shembull baret e mia të preferuara. Megjithatë është nja hap i mirë, më në fund."

Nga 2 qershori do rihapen edhe shkollat fillore dhe ato të mesme e të larta në zonat e gjelbra.

Franca është ndër 7 vendet e para në botë për numrin e të infektuarve me koronavirus ndërsa sëmundja infektive atje u ka marrë jetën mbi 28 mijë njerëzve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat