Parizienët shijojnë qytetin pa turistë

Evropë

Parizienët shijojnë qytetin pa turistë

Më: 11 qershor 2020 Në ora: 20:15
Foto

Pas dy muajsh në izolim të plotë, pariezienët po shijojnë qytetin e zbrazur nga turistët. Por kjo gjendje është e përkohshme dhe shumë mezi presin rikthimin e turistëve për të ringritur ekonominë. Kufijtë do të fillojnë të hapen nga 15 qershori, por rritja e numrit të infektimeve në vende që nuk kanë varësi nga turizmi mund të pengojë planet e BE-së për veprim të koordinuar.

Parizienët po rizbulojnë qytetin pas dy muajsh në izolim të plotë. Gjatë muajit të kaluar, qytetarët e kryeqytetit francez janë lejuar të shijojnë sërish mjediset publike. Prej muajsh nuk shihen më varkat që shëtisin turistët, autobusët dykatësh dhe menytë dygjuhëshe.

Sheshi Place des Abbesses, në lagjen turistike Montmartre të Parisit pranë bazilikës Sacre Coeur, është zakonisht i mbushur me turistë. Përpara krizës së koronavirusit, Parisi dhe rajoni përreth prisnin deri në 50 milionë turistë çdo vit. Sot nuk ka më njeri.

Shumë mund të mendojnë se vendasit e pëlqejnë këtë gjendje pa turistë, por në fakt shumë qytetarë shprehen se u mungojnë turistët e të tjerë tregohen të sinqertë dhe thonë se po e shijojnë qytetin pa ta.

"Më pëlqen kur ka shumë njerëz rrotull, turistët nuk më bezdisin. Për fat të keq ata na duhen për ekonominë tonë," tha Sandy Four.

Me këtë nuk bie dakord 36-vjeçarja Nadia Kadri.

"Rrugët janë bosh dhe ne vendasit mund të lëvizim më lirshëm. Mua zakonisht nuk më pëlqen kur ka shumë turistë, sidomos këtu në Montmartre. Më duket si një përplasje kulturash."

Vendet europiane po fillojnë t’i lehtësojnë masat kufizuese për udhëtimin në përpjekje për të tërhequr sërish turistët e huaj për sezonin e verës.

Pavarësisht se shpresohej se moti i ngrohtë do të sillte edhe uljen e numrit të infektimeve, një gjë e tillë nuk po ndodh. Gjermania një prej vendeve që u përgëzua për menaxhimin e mirë të pandemisë, thotë se tani numri i infektimeve po rritet sërish dhe gjendja është e brishtë.

 Shtimi i numrit të të infektuarve në vende që nuk kanë varësi nga turizmi mund të pengojë planet e BE-së për një hapje të përgjithshme të kufijve të brendshëm nga 15 qershori dhe atyre të jashtëm nga 1 korriku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat