Londra arenë përleshjesh mes ekstremistëve të djathtë dhe aktivistëve kundër racizmit

Evropë

Londra arenë përleshjesh mes ekstremistëve të djathtë dhe aktivistëve kundër racizmit

Më: 14 qershor 2020 Në ora: 17:52
Foto

Londra u shndërrua në arenë përleshjesh të ekstremistëve të djathtë, aktivistëve kundër racizmit dhe policisë. Policia u përpoq të vendose një kordon midis dy grupeve, por përfundoi vetë duke u përleshur me protestuesit. Protesta kundër racizmit dhe dhunës policore ka pasur në të gjithë botën që nga vdekja e afrikano-amerikanit George Floyd muajin e kaluar.

Sheshi Trafalgar i Londrës u shndërrua të shtunën në arnë të përleshjeve midis aktivistëve të ekstremit të djathtë, protestuesve të lëvizjes kundër racizmit Black Lives Matter dhe policisë që përpiqej t'i mbante të dy palët larg.

Grupe të vogla protestuesish shanë, hodhën shishe, sende të forta dhe fishekzjarrë, ndërsa policia krijoi një kordon ndarës qenë dhe kuaj.

Grupet e së djathtës ekstreme protestuan kundër lëvizjes kundër racizmit dhe disa protestues u përpoqën të përdorin barriera metalike për të çarë kordonin e policisë.

"Është e qartë se grupet e ekstremit të djathtë po shkaktojnë dhunë dhe çrregullime në Londrën Qendrore, unë i nxis qytetarët të qëndrojnë larg," tha përmes Twitter-it, kryetari i bashkisë Sadiq Khan.

Ministrja e Brendshëm Priti Patel e denoncoi protestën dhe e quajti "një sulm tërësisht të papranueshëm", ndërsa paralajmëroi se kushdo që kryen akte dhune ose vandalizmi do të përballet me forcën e plotë të ligjit.

Statuja të figurave historike përfshirë atë të ish-kryeministrit Winston Churchill u mbuluan paraprakisht për të parandaluar vandalizmin ose shndërrimin në pika beteje mes protestuesve që thonë se monumente të tilla nxisin racistët.

Protesta kundër racizmit dhe dhunës së policisë ka pasur në të gjithë botën që nga vdekja e afrikano-amerikanit George Floyd në Minneapolis muajin e kaluar. Në qytete të tjera britanike dhjetëra mijëra vetë marshuan paqësisht në ditët e kaluara.

Në Londër numri i protestuesve ishte më i vogël të shtunën sesa ditët e kaluara, pasi njoftimet e grupeve të ekstremit të djathtë kishin lajmëruar protesta dhe kjo bëri që aktivistët kundër racizmit të anulonin një marshim të planifikuar. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat