Ukraina konfiskon 6 milionë dollarë në një rast të dyshimtë korrupsioni

Evropë

Ukraina konfiskon 6 milionë dollarë në një rast të dyshimtë korrupsioni

Më: 15 qershor 2020 Në ora: 11:28
Foto ilustrim

Dyshohet se zyrtarëve ukrainas u janë ofruar gjashtë milionë dollarë si ryshfet për t’i mbyllur hetimet kundër themeluesit të kompanisë “Burisma”, që dikur e kishte pjesë të bordit djalin e kandidatit për president të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.

Artem Sytnyk, kryetar i Byrosë Kombëtare Kundër Korrupsionit, tha se tre persona janë arrestuar në lidhje me këtë rast. Në mesin e të arrestuarve është një ish-zyrtar për taksa, shkruan “Daily Mail”.

Të gjithë personat e arrestuar ishin të lidhur me ish-ministrin e Ekologjisë, Mykola Zlochevsky, i cili është themelues i kompanisë “Burisma” dhe i cili është duke jetuar në ekzil.

Zyrtarët ukrainas kanë thënë se rasti i ryshfetit nuk ka lidhje me ish-anëtarin e bordit të kësaj kompanie, Hunter Biden, djalë i kandidatit për president të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.

Byroja që merret me luftimin e korrupsionit në Ukrainë tha se kjo është shuma më e madhe e parave që është konfiskuar ndonjëherë në raste të korrupsionit.

Paratë e konfiskuara ishin në bankënota 100-dollarëshe dhe ishin futur në thasë. Kjo sasi u prezantua para medieve gjatë një konference për gazetarë.

Besohet se rreth 5 milionë dollarë u ofruan për zyrtarët kundër korrupsionit dhe një milion tjetër për një zyrtar që shërbente si ndërmjetës në marrëveshjen për ryshfet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat