Shengeni sërish në fuqi - Bota Sot
Shengeni sërish në fuqi

Evropë

Shengeni sërish në fuqi

Më: 17 qershor 2020 Në ora: 03:31

Prej ditës së hënë janë hequr kontrollet kufitare në vendet e Bashkimit Evropian. Gjermanët dhe francezët që jetojnë afër kufirit i janë gëzuar këtij hapi. Por ka dhe disa vende që ende nuk kanë hapur në tërësi kufijtë.

Mbi urën elegant të bardhë mbi lumin Rin, mes qyteteve Kehl (Gjermani) dhe Straßburg (Francë), çiftet e dashuruara vendosin me dëshirë ndonjë dry, si simbol dashurie. Corinne dhe Detlef e kanë vënë këtu një dry në qershor, por me siguri jo në qershorin e vitit 2020. Çiftet e dashuruara francezo-gjermane e kanë pasur shumë të vështirë në tre muajt e fundit, për shkak të kufirit të bllokuar dhe pandemisë Corona. Vizitat kanë qenë të pamundura.

Shenjat e dashurisë

Stefan Preiß ka një lidhje me një të dashur nga Franca. Mbyllja e kufirit ka qenë tepër e rëndë për shumë çifte. "E dashura ime franceze ka ardhur një ditë para mbylljes së kufirit në Gjermani dhe ka mbetur. Ne kemi pasur fat, po njoh shumë çifte të tjera të cilët nuk janë parë me javë e muaj të tërë", shpjegon Stefan Preiß.

Stefani ka ardhur të dielën mbi urë ku ëshë takuar me federalistët e tjerë evropianë, pavarësisht pandemisë. Policia gjermane dhe ajo franceze ka hequr në mesnatë kontrollet kufitare, mbi lumin Rin.

Koha e keqe

Peter Cleiss megjithatë nuk është i kënaqur. "Ne kërkojmë që të krijohen struktura, të cilat nuk lejojnë veprime nacionale të politikanëve dhe të cilat do të përcaktojnë se si duhet të veprojmë me kufijtë." Ai nuk është i sigurt se mbyllja e kufijve ka sjellur diçka të mirë, në kohën e pandemisë.

Ministri i Brendshëm Horst Seehofer (CSU), është i mendimit të kundërt. Para pak ditësh ai tha se mbyllja e kufirit ka ndihmuar, për parandalimin e përhapjes së virusit.

Peter Cleiss kërkon që në të ardhmen të vendosë populli nëse duhet të mbyllen kufijtë apo jo. "Iracionalistët nga të dyja anët e kufirit kanë qenë të shumtë". Numri i kundërshtarëve nga të dy anët është shtuar nga dita në ditë. Ndaj duhet menduar që të në ardhmen të mos mbyllen kufijtë.

Në këtë ditë, kur shënohet rastësisht edhe 35 vjetori i Shengenit, është i gëzuar edhe studenti Theó Prestavioine. "Ne festojmë rihapjen e kufirit. Të gjithë janë mësuar ndërkohë që të kalojnë kufirin pa problem. Ndërsa vendosja e kufirit ishte e rëndë dhe e papritur. Njerëzit mendojnë se vet politikanët janë fajtorë."

Maskat dhe mbrojtja

Theó Prestavoine është i lumtur me përfundimin e kontrolleve. Ndonëse kufijtë e 26 vendeve të Shengenit nuk kanë qenë kurrë të mbyllura tërësisht. Mallrat kanë qarkulluar, punëtorët kanë mundur të kalojnë kufirin. Prej javësh në kufirin mes qyteteve Straßburg dhe Kehl nuk kontrollohen të gjithë kalimtarët. Në mesnatë edhe kjo mori fund dhe u tërhoqën kontrollet e fundit nga rruga. Shefi i policisë, në bisedë me DW, nuk është i bindur se me ndalimin e qarkullimit të njerëzve është ndaluar edhe përhapja e virusit. 

Hapja e kufijve

Për Stefan Preiß është e qartë se politika në radhë të parë duhet të mësojë nga kjo pandemi dhe se përgjegjësia më shumë duhet të jetë në duart e autoriteteve rajonale. "Në fillim askush nuk ka menduar se cilat do të jenë pasojat për njerëzit. Ata në Berlin apo Paris nuk e dinë fare gjendjen në kufi. Tani thonë se mund të shkoni për pushime në Itali apo Spanjë, por për ne hapja e kufirit ka një domethënie tjetër - një domethënie jetësore.

Kufijtë e brendshëm të 22 nga 26 vendet e Shengenit janë hapur këtë të hënë. Suedia, Finlanda, Spanja dhe Norvegjia ende kanë kufizime. Ndërsa kufijtë e jashtëm të BE mbeten ende të mbyllur, të paktën deri në fund të qershorit. / DW

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat