I dyshuari i sulmit terrorist në Britani, "i njohur për inteligjencën"

Evropë

I dyshuari i sulmit terrorist në Britani, "i njohur për inteligjencën"

Më: 22 qershor 2020 Në ora: 08:41
Ilustrim

Një sulm me thikë, në të cilin janë vrarë tre persona, dhe tre të tjerë janë plagosur seriozisht në një park në qytetin Reading të Britanisë, përbën akt terrorist, ka thënë policia më 21 qershor, derisa transmetuesi britanik, BBC, ka raportuar se i dyshuari ka qenë i njohur për inteligjencën britanike.

I dyshuari, 25-vjeçar, është në mbajtje, ka njoftuar policia, por pa identifikuar atë.

Mirëpo një burim i sigurisë, që ka folur për agjencinë e lajmeve Reuters, si dhe në një raport të The Daily Telegraph është thënë se Khairi Saadallah, 25-vjeçar nga Libia, është arrestuar nga policia britanike për këtë çështje.

Disa burime të BBC-së kanë thënë se ky person ka qenë i njohur për zyrën e inteligjencës britanike.

Ata kanë thënë se Saadallah ka fituar vëmendjen e agjencisë më 2019, pasi janë siguruar informacione se i dyshuari ka synuar që të udhëtojë jashtë shtetit – potencialisht për terrorizëm.

Autoritetet kanë thënë se nuk janë duke kërkuar të dyshuar tjetër.

Kryeministri britanik, Boris Johnson, ka thënë se e ka tmerruar sulmi, dhe se qeveria e tij do të bëjë ndryshime ligjore, nëse është e nevojshme.

“Nëse ekzistojnë ndryshime që duhet bërë në sistemin tonë ligjor, për t’iu dhënë fund përsëritjeve të kësaj ngjarjeje, ne nuk do të hezistojmë në marrjen e atij veprimi”, ka thënë Johnson.

Policia në anën tjetër ka thënë se motivi i sulmit nuk dihet ende.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat