Turqia thotë se Makroni vuan nga eklipsi i mendjes

Evropë

Turqia thotë se Makroni vuan nga eklipsi i mendjes

Më: 24 qershor 2020 Në ora: 13:12
Emmanuel Macron dhe Recep Tayyip Erdoğan

Turqia ka reaguar ndaj kritikave të Francës për intervenimin në Libi, duke thënë se presidenti francez, Emmanuel Macron, vuan nga eklipsi i mendjes pasi po e kundërshton përkrahjen që Ankaraja ia ka dhënë qeverisë libiane që njihet nga komunitetit ndërkombëtar.

“Kategorizimi i Makronit për përkrahjen e vendit tonë ndaj qeverisë legjitime të Libisë, të bazuar në rezolutat e OKB-së dhe në kërkesat e tyre si lojë e rrezikshme mund të shpjegohet vetëm përmes një eklipsi të mendjes”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Turqisë, Hami Aksoy.

Me përkrahjen e ushtrisë turke, Qeveria e Akordit Kombëtar e Libisë e ka neutralizuar një sulm 14-mujor ndaj kryeqytetit Tripoli nga furcate  gjeneralit Khalifa Haftar, i cili përkrahet nga Rusia, Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Përfshirja e Turqisë në Libi i ka tensionuar marrëdhëniet e këtij shteti me Francën, të cilën Ankaraja e akuzon se ka kontribuar në kaos duke e përkrahur gjeneralin Haftar, shkruan “Reuters”.

Të hënën, Makroni e akuzoi Turqinë se po luan lojë të rrezikshme në libi dhe ofroi përkrahje për presidentin e Egjiptit, Abdel Fattah al-Sisi, i cili të shtunën tha se vendi i tij ka të drejtë të intervenojë në konfliktin e shtetit fqinj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat