Rajoni juglindor gjerman, Bavaria, ka njoftuar se do ta fillojë një ofensivë të testimit për koronavirus, që do t’ua mundësojë kryerjen e testit edhe personave që nuk kanë ndonjë simptomë.
“Të gjithë qytetarëve të Bavarisë do t’u ofrohet shpejt mundësia që testohen nga një mjek me kontratë, edhe pa simptoma”, tha ministrja e Shëndetësisë e Bavarisë, Melanie Huml.
Ajo shtoi se kostoja e testimit që tash për tash nuk është e mbuluar nga skemat e sigurimit shëndetësor publik në të ardhmen mund të mbulohet nga shteti.
Sipas politikanëve të këtij rajoni, një program i tillë universal i testimit do ta bënte më të lehtë zbulimin dhe kontrollimin e vatrave lokale të infeksionit apo bartësve pa simptoma të virusit.
Megjithatë, ky plan është pritur me skepticizëm nga ministri federal i Shëndetësisë, Jens Spahn, sa i përket mundësisë që programi të zgjerohet së zbaturi në nivel vendi.
“Testimi i gjerë ka logjikë, sidomos për kontrollimin e përhapjeve lokale, por një test është gjithmonë një fotografi e çastit. Ai nuk duhet ta ofrojë ndjenjën e rreme të sigurisë”, tha ai.