Si ia ndryshoi drejtimin pandemia kryesisë kroate të radhës së Bashkimit Evropian

Evropë

Si ia ndryshoi drejtimin pandemia kryesisë kroate të radhës së Bashkimit Evropian

Më: 1 korrik 2020 Në ora: 11:17
Bashkimi Evropian

Një nga “viktimat” e pandemisë së koronavirusit në gjithë botën ishte programi ambicioz i Kroacisë për kryesinë gjashtëmujore të radhës së Bashkimit Evropian, që përfundoi të martën.

“Megjithë planet tona më të mira fillestare për t’u kushtuar rëndësi çështjeve më të rëndësishme për sigurinë dhe mirëqenien e Evropës, kryesia jonë u kthye në një kryesi për menaxhimin e krizave”, thotë Pjer Simunovic, kryediplomati i Kroacisë në Uashington.

Ambasadori Simunovic thotë se kur mori kryesinë e radhës në janar, vendi i tij kishte plane për t’u marrë me punësimin, teknologjinë, konkurrencën, mjedisin, energjinë e gjelbër, zgjerimin e BE-së, partneritetet, si edhe të punonte për një Brexit pa probleme dhe miratimin e buxhetit të BE-së.

Por presidenca e Kroacisë, tha ai në në një intervistë për Zërin e Amerikës, është mbizotëruar nga “takime virtuale që kanë zëvendësuar takimet fizike në të gjitha nivelet dhe pothuajse çdo gjë tjetër është përqendruar tek urgjenca e rrezikut të shumëanshëm me të cilin përballemi”.

“Të gjithëve na u desh të planifikonim dhe të ekzekutonim ndërsa kriza ndodhte”, shtoi ai.

Roli i kryesisë së BE-së është të ndërtojë konsensus dhe të koordinojë vendim-marrjen mes afro 30 anëtarëve të bllokut, tha ambasadori Simunovic. Ai vlerëson vendet anëtare që punuan së bashku për të rikthyer mbi 500 mijë qytetarët e BE-së, që mbetën jashtë kufijve të vendeve të tyre nga pandemia në gjithë botën.

Ambasadori tha se Kroacia – anëtare e BE-së që nga viti 2013 – ishte përpjekur me të gjitha forcat që organizata të hapte bisedimet për anëtarësim për dy vende të tjera të rajonit të Evropës juglindore: Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Një takim i nivelit të lartë në maj mes Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor konfirmoi “përkushtimin e BE-së ndaj rajonit”, tha ai.

Si një shembull tjetër të solidaritetit Brenda BE-së, ambasadori përmendi negociatat për paketat financiare për vendet anëtare më të prekura nga pandemia.

“Përveç paketës së pare të ndihmave të BE-së, miratuar në prill, prej 500 miliardë euros dhe një pakete bankare për të lehtësuar huadhënien, Komisioni Evropian propozoi në fund të majit, një paketë të dytë prej 750 miliardë dollarësh, 500 miliardë në grante, 250 miliradë në hua të favorshme”, tha ai.

Simunovic shtoi se ishte bërë përparim në drejtim të një marrëveshjeje në takimin e fundit të nivelit të lartë të BE-s gjatë presidencës kroate, përfshirë një premtim për të finalizuar një marrëveshje në një takim në korrik.

Edhe analistë të pavarur janë të kënaqur me suksesin e BE-së në përgjigjen ndaj pandemisë.

“Ka një ndjesi krenarie, përveç habisë, që Evropa arriti të mobilizohej”, thotë Stephen Szabo, studiues në Institutin Amerikan për Studime Bashkëkohore Gjermane dhe një profesor i jashtëm në Universitetin Georgetown. Por aiu tha se suksesi erdhi vetëm pas “një fillimi katastrofik” kur vendet anëtare nuk ndihmuan vendet më të goditura si Italia.

“Megjithatë, kjo është vetëm faza e parë e një krize që pritet të zgjasë”, tha ai, duke shtuar se efektet ekonomike “do të ndjehen për vite me radhë dhe do të përbëjnë një sfidë për solidaritetin evropian”.

Simunovic tha se beson se bashkëpunimi mes anëtarëve të BE-së do të jetë kritik në vazhdimësi.

Ai parashikoi se lidhjet “do të krijohen dhe përforcohen bazuar në besueshmërinë: mes atyre që ai i përshkruan si “aleatë të natyrshëm”.

Ambasadori Simunovic tha se Evropa është e gatshme të punojë me Shtetet e Bashkuara për të forcuar lidhjet transatlantike dhe për të përballuar sfidat globale, përfshirë atë të shkaktuar nga ata aktorë që nuk luajnë me të njëjtat rregulla, sidomos Rusia dhe Kina.

Ai parashikon se Gjermania që merr presidencën gjashtëmujore të mërkurën, ashtu si Kroacia do të gjendet në një situatë të vazhdueshme “menaxhimi krize” me “çështje të vështira ende të pazgjidhura”.

“U urojmë miqve tanë fat, u ofrojmë mbështetjen e plotë me pritshmëri të lartë. Jemi në të njëjtën barkë në një det të trazuar”, tha ai. /VOA/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat