Zingraf: Për një Evropë më të pavarur dhe më solidare

Evropë

Zingraf: Për një Evropë më të pavarur dhe më solidare

Më: 2 korrik 2020 Në ora: 10:04
Peter Zingraf

Ambasadori gjerman në Tiranë, Peter Zingraf prezantoi në një video-mesazh përparësitë e Presidencës gjermane të Këshillit Evropian e vuri në dukje edhe nxitjen e perspektivës evropiane të Shqipërisë dhe rajonit.

Gjermania nisi sot (01.07.) për gjashtë muaj kryesimin e Këshillit të Bashkimit Europian. Ambasadori gjerman në  Tiranë, Peter Zingraf, në një video-mesazh prezantues për prioritetet e presidencës gjermane tha se "Gjermania në rolin e motorit dhe moderatorit dëshëron që, së bashku me institucionet europiane dhe shtetet e tjera anëtare, të forcojë  Evropën dhe ta ꞔojë atë përpara”.

Një Evropë e bashkuar për përballimin e krizës Corona

Ambasadori Zingraf tha se "temë qendrore e presidencës gjermane duhet të jetë përballimi i krizës së virusit Corona”. Ai citoi në video - mesazhin e tij kancelaren federale, Angela Merkel, që e ka cilësuar këtë krizë si "sfidën më të madhe të Evropës që prej fillimit të historisë së saj. Objektivi ynë në këtë kontekst duhet të jetë për ta nxjerrë Evropën nga kjo krizë më të pavarur dhe solidare. Vetëm duke vepruar bashkarisht, në mënyrë të koordinuar dhe të vendosur do të mund të lehtësojmë pasojat sociale dhe ekonomike të krizës. Pikërisht në këtë kohë të vështirë Evropa duhet të qëndrojë e bashkuar” .

Në këtë kontekst, Ambasadori Zingraf tha se "një Bashkim Evropian i fortë është në interes të Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor. BE dhe shtetet e tij anëtare e kanë mbështetur tanimë Shqipërinë dhe rajonin në përballimin e krizës, ndër të tjera përmes dërgimit masiv të instrumentave mjekësore ndihmëse apo përmes mbështetjes së grupeve më të rrezikuara. Por ne do të vazhdojmë ta mbështesim Shqipërinë dhe rajonin edhe në plan afatgjatë, në funksion të zbutjes së pasojave ekonomike dhe sociale”.

Presidenca gjermane – kontribute vendimmtare për BE

Edhe pse kriza e shkaktuar nga pandemia Corona do të jetë tema qëndrore, Ambasadori gjerman tha në video-mesazhin e tij, se " Presidenca gjermane nuk do të jetë vetëm një Presidencë e Coronës.”

"Bashkimin Europian e presin shumë detyra, për zgjidhjen e të cilave Presidenca Gjermane dëshiron të japë një kontribut vendimtar. Ne do të përmbyllim jo vetëm krijimin e Fondit të Ringritjes prej Coronës, por edhe planifikimin buxhetor afatgjatë të BE-së. E përtej kësaj, ne duam të formësojmë më tej Evropën, dhe megjithë krizën e Coronës dëshirojmë të vendosim piketat qendrore për kontinentin tonë, si në konsolidimin e pavarësisë digjitale dhe teknologjike, në dakordësimin e objektivave ambicioze në mbrojtje të klimës, ashtu edhe në funksion të forcimit të vlerave bazë, siç është shteti ligjor, edhe brenda vetë Bashkimit,” tha Ambasadori Zingraf.

Perspektiva Evropiane e Shqipërisë dhe e Ballkanit Perëndimor

Nxitja e kësaj perspektive në kuadër të Presidencës gjermane, të cilësuar "motor dhe moderator të perspektivës evropiane të Shqipërisë dhe rajonit”, është një prioritet tjetër i kësaj presidence.

"Pjesë e së ardhmes së Evropës është edhe perspektiva evropiane e Shqipërisë dhe rajonit. Dhe ne dëshirojmë ta nxisim më tej këtë perspektivë në kuadër të presidencës sonë, si motor dhe moderator i saj,” tha në video-mesazh Ambasadori Zingraf.

"Më gëzon fakti që Presidenca jonë ka qëlluar të jetë pas marrjes së vendimit nga ana e Këshillit për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit. Kushtet e formuluara formalisht, të cilat ishin të parapërcaktuara edhe në vendimin e Bundestag-ut, janë cilësuar në vend si një udhërrëfyes për kalendarin shqiptar të reformave. Unë uroj shumë që institucionet shqiptare t'i vënë vetes objektiva ambicioze në zbatim të këtyre reformave. Në mënyrë të veçantë, kushtet që duhen përmbushur përpara Konferencës së Parë të Anëtarësimit, janë thelbësore për vendin dhe duhet të jenë të zbatueshme në një periudhë të afërt kohore. Gjatë Presidencës së Këshillit, Gjermania do të jetë në krah të Shqipërisë me fjalë dhe vepra. Pres me gëzim gjashtë muaj intensivë,” përfundon Ambasadori gjerman Zingraf video-mesazhin me rastin e fillimit sot të Presidencës gjermane të Këshillit të BE, të publikuar në median sociale të Ambasadës së Republikës Federale të Gjermanisë, Tiranë./DW/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat