BE-ja autorizon përdorimin e Remdesivirit për Koronavirus

Evropë

BE-ja autorizon përdorimin e Remdesivirit për Koronavirus

Më: 3 korrik 2020 Në ora: 15:32
Foto ilustrim

Zyrtarët në Bruksel kanë aprovuar përdorimin e ilaçit remdesivir për të trajtuar rastet e rënda me Covid-19, vetëm pak ditë pasi SHBA grumbulloi tërë rezervat e këtij ilaçi antiviral.

Remdesiviri është i vetmi ilaç kundër koronavirusit të cilit iu dha drita e gjelbër në BE. Dega ekzekutive e BE-së, Agjencia Evropiane e Ilaçeve (EMA) javën e kaluar rekomandoi që ilaçi të përdoret për trajtimin e pacientëve të cilët kanë nevojë për terapi me oksigjen.

Ky aprovim erdhi në më pak se një ditë pasi që Komisioni tha se kishte nisur negociatat me prodhuesin e remdesivirit Gillead Sciences për të siguruar dozat për shtetet anëtare të BE-së, pasi që SHBA-ja siguroi 500,000 doza të këtij ilaçi, shkruan The Independent.

SHBA-ja ndezi hidhërime të mërkurën kur bleu 500,000 doza trajtimi, që janë 100 për qind i prodhimit të Gilead për muajin korrik, dhe 90 për qind i prodhimit për gusht dhe shtator.

“Kanë marrë shumicën e furnizimit andaj tani nuk ka mbetur asgjë për Evropën”, tha dr Andrew Hill, anëtar i lartë i hulumtimeve në Universitetin e Liverpoolit.

Remdesiviri u aprovua në Britani në fund të muajit maj, ku zyrtarët shëndetësorë patën theksuan se do të përdorej vetëm për trajtimin e pacientëve shumë të sëmurë. Është njëra nga vetëm dy ilaçet e aprovuara në Britani për trajtimin e Covid-19, i dyti është një steroid i lirë i quajtur deksametazon.

Ilaçi ka zvogëluar kohën e shërimit në pacientë që vuajnë nga probleme të rënda më frymëmarrje.

Remdesivir është një ilaç eksperimental që në fillim u krijua për trajtimin e Hepatitit C por u tregua i paefektshëm. U përdor edhe në luftën kundër Ebolas por edhe aty nuk u tregua aq efektiv.

Sidoqoftë, u tregua më i suksesshëm në trajtimin e sëmundjeve të frymëmarrjes si SARS, MERS dhe koronavirusi i ri.

Sipas zyrtarëve në SHBA, çmimi i remdesivirit është rreth 3,200 dollarë për trajtim nga gjashtë doza.

Por disa kritikë kanë thënë se ilaçi nuk ia vlen aq sa e ka çmimin. Edhe pse e shkurton kohën e shërimit në disa pacientë me Covid-19, nuk i përmirëson dukshëm shanset e të mbijetuarit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat