Putin injoron kritikat ndaj reformës kushtetuese

Evropë

Putin injoron kritikat ndaj reformës kushtetuese

Më: 5 korrik 2020 Në ora: 09:28
Putin

Reforma e diskutueshme kushtetuese në Rusi ka hyrë në fuqi. Këtej e tutje interesat kombëtare qëndrojnë mbi të drejtën ndërkombëtare, por kjo ngjall kritika në botën e jashtme. Qeveria në Moskë nuk do t’ia dijë për këtë.

Teksti i ri i kushtetutës u publikua të shtunën. Presidenti Vladimir Putin më parë pati nënshkruar dekretin përkatës. Ligji i ri themeltar i zgjeron kompetencat e pushtetit të presidentit Putin dhe i mundëson atij qeverisjen deri në vitin 2036, në rast se ai do të rizgjidhet.

Opozita në Rusi e akuzon presidentin për një “grusht shteti”.

Në botën e jashtme krijon shqetësim në radhë të parë fakti, që në bazë të kushtetutës së re interesat kombëtare qëndrojnë mbi ato të së drejtës ndërkombëtare. Bashkimi Evropian i bëri thirrje Rusisë, që megjithatë të respektojë marrëveshjet ndërkombëtare.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov shpjegoi, që vendi i tij në shkallë të gjerë do të vazhdojë t’i përmbahet së drejtës ndërkombëtare.

“Por edhe në të ardhmen Rusia në radhë të parë do të ndjejë detyrim për sovranitetin e vet”, nënvizoi Peskov.

Ai theksoi, se Rusia do ta injorojë kritikën nga bota e jashtme lidhur me ligjin themeltar.

Për kushtetutën, sipas të dhënave të Komisionit Elektoral, kanë votuar 77.92 për qind e zgjedhësve. Opozita është e mendimit, se ka pasur falsifikime masive të votave. Edhe në nivel ndërkombëtar ka pasur kritika në këtë pikë.

Veçanërisht ka tërhequr vëmendjen rasti i dhunës masive të policisë ndaj një gazetari në Shën Peterburg. Policët i thyen krahun një reporteri, i cili donte të vëzhgonte votimin në një qendër elektorale.

Politikani i opozitës Alexej Navalny publikoi në internet një video të sulmit të policisë duke e quajtur atë si një ndër falsifikimet më të rënda të zgjedhjeve.

Është dokumentuar në mënyrë të shumëfishtë, se si fletët e votimit në pirgje janë ngjeshur nëpër kuti.

“Deri në 27 milionë vota janë falsifikuar”, tha Navalny duke iu referuar matematikanëve.

Ai bëri thirrje që të burgoset drejtuesja e Komisionit Elektoral, Ella Pamfilova. /Deutsche Welle/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat