25 vjet nga masakra e Srebrenicës

Evropë

25 vjet nga masakra e Srebrenicës

Më: 6 korrik 2020 Në ora: 15:44
Një grua pranë varreve të anëtarëve të saj të familjes në Potocari, pranë Srebrenicës

25 vjet më parë, rreth 8 mijë burra dhe djem myslimanë u vranë nga forcat serbe të Bosnjës në masakrën më të madhe të Evropës që nga Lufta e Dytë Botërore. Më shumë se 1 mijë burra dhe djem boshnjakë që vdiqën gjatë rrethimit të vitit 1995 konsiderohen ende të zhdukur.

Më shumë se 8'000 burra dhe djem boshnjakë u vranë gjatë 10 ditëve masakrash, pasi Srebrenica u pushtua nga forcat serbe të Bosnjës më 11 korrik 1995.

Kombet e Bashkuara e kishin shpallur Srebrenicën një strehë të sigurt për civilët, por kjo nuk i pengoi ushtarët serbë të sulmonin qytetin që kishin rrethuar prej vitesh.

Ndërsa u afroheshin më 11 korrik 1995, shumica e popullsisë myslimane të qytetit nxituan drejt kompleksit të afërt të OKB-së, me shpresën se paqeruajtësit hollandezë do t'i mbronin.

Të dy udhëheqësit serbë të kohës së luftës Radovan Karaxhiç dhe komandanti ushtarak Ratko Mladiç, të cilët drejtuan forcat që kapën Srebrenicën më 11 korrik 1995, u dënuan më vonë me burgim të përjetshëm nga një gjykatë e OKB-së për krimet e luftës.

Image
13 korrik 1995, paqeruajtësit hollandezë qarkohen nga refugjatët boshnjakë

Në atë kohë, paqeruajtësit e paktë dhe me armatim të dobët shikonin pa mundur t'u vinin në ndihmë, ndërsa burrat dhe djemtë myslimanë u ndanë për tu ekzekutuar, kurse gratë dhe vajzat u dërguan në territorin e mbajtur nga qeveria boshnjake.

Rreth 15 mijë banorë u përpoqën të iknin nëpër pyll, por u kapën dhe gjithashtu u vranë.

Ata ose u qëlluan në vend, ose u dërguan në qendra kolektive ku u ekzekutuan dhe u hodhën në varreza masive.

Gjykatat ndërkombëtare e përcaktuan masakrën e më shumë se 8'000 njerëzve si një akt gjenocidi, i kryer me qëllimin për të shfarosur popullatën myslimane boshnjake në zonë.

Viktimat u varrosën në varreza masive, të cilat u rihapën nga autorët menjëherë pas luftës dhe u zhvendosën për të fshehur krimin.

Gjatë procesit, mbetjet gjysmë të dekompozuara u copëtuan nga buldozerët. Pjesët e trupave vazhdojnë të gjenden në më shumë se 100 varreza të ndryshme masive dhe janë duke u mbledhur dhe identifikuar përmes analizës së ADN-së.

Viktimat varrosen çdo vit në qendrën përkujtimore në rrugën përballë ish-bazës së OKB-së, ku shumica e tyre u panë për herë të fundit të gjallë.

Image
Varret në Qendrën Përkujtimore Potocari, pranë Srebrenicës

Gjykata ka dënuar gjashtë persona për përfshirje në genocidin e Srebrenicës, përfshirë udhëheqësin serb të Bosnjës gjatë kohës së luftës Radovan Karaxhiç, i dënuar në vitin 2016 me 40 vjet burg. Ky dënim u rrit në dënim të përjetshëm në vitin 2019.

Megjithëse vrasjet masive janë quajtur gjenocid nga gjykatat ndërkombëtare, zyrtarët e Serbisë dhe serbët e Bosnjës nuk pranojnë ta përdorin termin.

Më shumë se 1'000 njerëz konsiderohen ende të zhdukur nga masakrat masive gjatë luftës civile në Bosnje.

Masakra e Srebrenicës është episodi i vetëm i luftës së viteve 1990 në Bosnje që përkufizohet si genocid nga dy gjykata të OKB-së./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat