Britania sanksione zyrtarëve rusë dhe sauditë; a do ta ketë radhën Kina në vazhdim?

Evropë

Britania sanksione zyrtarëve rusë dhe sauditë; a do ta ketë radhën Kina në vazhdim?

Më: 8 korrik 2020 Në ora: 18:26
Ilustrim

Po shtohen thirrjet edhe ndaj Britanisë për të vendosur sanksione kundër shkelësve të të drejtave të njeriut në Kinë, pasi masa të tilla u vendosën kundër dhjetëra individëve nga Rusia dhe Arabia Saudite. Sanksionet e para të ashtuquajtura 'Magnitsky' u njoftuan të hënën pas vitesh fushate nga miqtë dhe familja e Sergei Magnitsky-t, një avokat rus i vrarë në 2009. Siç raporton Henry Ridgwell nga Londra, kryeqyteti britanik është një qendër për financat dhe industrinë globale të udhëtimeve - kështu që aktivistët shpresojnë që sanksionet të kenë një ndikim thelbësor.

Sergei Magnitsky - një avokat rus që po hetonte korrupsionin shtetëror - vdiq në një burg në Moskë në vitin 2009. Trupi i tij kishte shenja torturash. Askush nuk është dënuar për vdekjen e tij.

Në dekadën që nga ajo kohë, klienti i tij Bill Browder ka luftuar që qeveritë në mbarë botën të vendosin sanksione kundër atyre që janë përfshirë në vrasjen e Magnitsky-t. Fushata shënoi një moment historik të hënën ndërsa Britania njoftoi sanksionet e para.

"Ata që kanë gjak në duar, banditët e despotëve, veglat e diktatorëve, nuk do të jenë të lirë të ecin në këtë vend për të blerë prona në King's Road, për të bërë pazarin e Krishtlindjeve në Knightsbridge ose sinqerisht, për të mbledhur para të pista përmes bankave britanike ose institucioneve të tjera financiare", tha Sekretari i Jashtëm britanik,. Dominic Raab.

Njëzet e pesë zyrtarë rusë që dyshohet se janë përfshirë në vdekjen e Magnitsky-t përballen me ngrirje pasurie dhe ndalime udhëtimi - përfshirë drejtuesit e Komitetit Hetues të Rusisë, të cilët raportojnë drejtpërdrejt tek Presidenti Vladimir Putin, anëtarët e Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm, si dhe gjykatësit.

Rusia i ka kërkuar Interpolit të arrestojë Bill Browder-in shtatë herë me akuza për shmangie taksash. Browder thotë se akuzat janë të pabaza dhe provë e suksesit të fushatës së tij.

"Putin vlerëson paratë më shumë se jetën njerëzore dhe ne kemi krijuar një mekanizëm për t'ia hequr paratë. Kjo është thjesht e pafalshme për të", thotë Bill Browder. drejtor ekzekutiv i firmës "Hermitage Capital Management".

Britania miratoi gjithashtu sanksione të hënën kundër njëzet shtetasve të Arabisë Saudite të akuzuar për vrasjen makabre të gazetarit amerikan Jamal Khashoggi, i cili shkruante për gazetën "The Washington Post". Masa të tjera kanë në objektiv zyrtarët në Mianmar dhe Korenë e Veriut.

Disa ligjvënës britanikë po bëjnë thirrje që Shefja Ekzekutive e Hong Kongut, Carrie Lam, të shtohet në listën e sanksioneve, pas imponimit nga Kina të një ligji të ri të sigurisë - për të cilin kritikët thonë se shkel të drejtat themelore të njeriut, përfshirë lirinë e fjalës.

"Kina është ndoshta shembulli kryesor i abuzimit të të drejtave të njeriut, për të cilin duhet të vendosen sanksione. Duhet të ndëshkohen për ato që i kanë bërë popullsisë uigure, për ato që po bëjnë në Hong Kong”, tha zoti Browder.

Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja tashmë kanë në fuqi legjislacion të stilit Magnitsky. Bashkimi Evropian po punon për një variant të tijin.

"Nëse BE-ja nuk përfshihet, këta njerëz do të blejnë vila në jug të Francës, do t'i mbajnë paratë e tyre në bankat gjermane, dhe do t'i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollat zvicerane. Pra duhet të na bashkohet edhe Evropa", tha zoti Browder.

Britania thotë se është e vendosur të marrë një rol të ri si një dritë globale për të drejtat e njeriut. Analistët thonë se masat do të testojnë ndikimin e Britanisë jashtë BE-së./Voa/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat