Kroacia e bën obligative vendosjen e maskave në hapësira të mbyllura publike

Evropë

Kroacia e bën obligative vendosjen e maskave në hapësira të mbyllura publike

Më: 11 korrik 2020 Në ora: 16:38
Kroaci

Autoritetet kroate njoftuan se vendosja e maskave në hapësirat e mbyllura publike do të jetë e detyrueshme nga java e ardhshme për shkak se numri i rasteve të reja të koronavirusit po vazhdon të rritet.

Të shtunën, në shtetin ballkanik u regjistruan 140 raste me koronavirus, që paraqet shifrën më të lartë ditore që nga fillimi i përhapjes së pandemisë. Shumica e rasteve janë shënuar në Zagreb dhe në pjesën lindore të vendit.

Drejtoratia Kombëtare e Mbrotjes Civile njoftoi se nga e hëna, maskat do të jenë të detyrueshme për punëtorët dhe klientët në dyqane si dhe për punëtorët e restoranteve, bareve dhe vendeve të tjera, ku ka kontakt të afërt me klientët.

Ndryshe, përdorimi i maskave në transportin publik ka qenë obligativ që para disa javësh, shkruan “Reuters”.

Në fillim të pranverës, Kroacia kishte arritur me sukses ta kufizonte përhapjen e virusit të ri dhe në fillim të qershorit shifra ditore kishte rënë pothuajse në zero. Megjithatë, numri i rasteve u rrit në javët e fundit. Shumë kroatë besojnë se kjo ka ardhur si pasojë e mbajtjes së tubimeve, përfshirë dasmat.

Rreth 500,000 mijë turistë nga vendet e Evropës Qendrore janë duke i kaluar pushimet në bregdetin e Adriatikut, por në mesin e tyre ka pasur shumë pak raste të infektimeve.

Deri më tani, Kroacia i ka regjistruar 3,672 raste të infektimeve dhe 118 të vdekur. Tash për tash janë 1,088 raste aktive.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat