Përkeqësohet situata në Evropën Lindore, vala e re e infeksioneve me COVID-19 rikthen masat kufizuese

Evropë

Përkeqësohet situata në Evropën Lindore, vala e re e infeksioneve me COVID-19 rikthen masat kufizuese

Më: 13 korrik 2020 Në ora: 09:42
Foto ilustrim

Vendet e Europës Lindore po përballen më një valë të re infeksioni nga COVID-19, duke sjellë revolta në Serbi, mbajtjen e detyrueshme të maskës në Kroaci si dhe kufizime për udhëtarët në Hungari.

Kufizimet e reja vijnë pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë raportoi se rritja ditore e rasteve globale arriti në mbi 228 mijë gjatë javës së shkuar, teksa SHBA konfirmoi 66 mijë raste të premten, një tjetër rekord, sipas Universitetit John Hopkins.

Ndër shtetet e Evropës Lindore ku është raportuar një situatë e përkeqësuar është edhe vendi ynë.

Shqipëria ka shënuar një rritje domethënëse personash të infektuar që nga mesi i majit, kohë kur nisi të lehtësojë masat kufizuese. Vendi raportoi të shtunën për 93 raste të reja, pothuajse dyfishin e shifrave të raportuara për muajin mars dhe prill, ndërsa ministria e shëndetësisë e ka cilësuar gjendjen në spitalin kryesor të vendit si “mjaft serioze”.

“Mos e ulni vigjilencën dhe respektoni rregullat e higjienës,” – është thirrja e vazhdueshme e autoriteteve shqiptare.

Autoritetet hungareze njoftuan të dielën se i kanë ndarë shtetet në tri kategori – të kuqe, të verdhë dhe të gjelbër – në bazë të numrit të infektuarve dhe ka rivendosur kufizime të reja.

Personat që vijnë nga Shqipëria, Ukraina dhe Bjellorusia si dhe pothuajse të gjitha vendet aziatike, afrikane dhe të Amerikës Qendrore nuk do t’iu lejohet hyrja, ndërsa shtetasit hungarezë që mbërrijnë në vend prej këtyre destinacioneve do të duhet të qëndrojnë në karantinë për dy javë.

Mes shteteve ku është vënë re përkeqësim i situatës është dhe Serbia, e cila raportoi 287 raste të reja gjatë së dielës, megjithëse ka dyshime të forta mbi vërtetësinë e këtyre shifrave. Zyrtarisht, vendi ka mbi 18 mijë raste të konfirmuara dhe 382 viktima që nga marsi. Autoritetet shëndetësore kanë paralajmëruar se spitalet janë në limitin e kapacitetit të tyre për shkak të valës së re.

Policia serbe është përplasur me protestuesit në natën e pestë të protestave, të cilat e detyruan presidentin serb të tërhiqet nga plani për të rivendosur një mbyllje të dytë për të parandaluar rritjen e mëtejshme të numrit të rasteve. Shkak për infektimet e reja janë bërë ndeshjet e mbipopulluara të futbollit, klubet e natës dhe disa ceremoni tenisi.

Rumania po ashtu shënoi një rekord të ri me 698 raste të reja gjatë së shtunës, ndërsa të dielën u raportuan 456 raste.

Në Bullgari, autoritetet kanë rivendosur masat kufizuese, të cilat u hoqën vetëm disa javë më parë, për shkak të rritjes së lartë të rasteve të reja. Qeveria urdhëroi mbylljen e klubeve të natës ndërsa ambientet e jashtme janë lejuar të punojnë me një kapacitet të përgjysmuar.

Dasmat dhe ceremonitë tradicionale janë të kufizuara deri në 30 pjesëmarrës, ndërsa eventet sportive duhet të zhvillohen pa praninë e spektatorëve. Pas konfirmimit të 330 rasteve të reja gjatë së premtes, Bullgaria raportoi 208 raste të reja të shtunën dhe të dielën.

Edhe Kroacia, një prej destinacioneve kryesore turistike të detit Adriatik, për shkak të përkeqësimit të situatës nga COVID-19 e ka bërë të detyrueshme mbajtjen e maskës në mjediset publike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat