Zgjedhjet në Poloni ilustruan “përçarjet në shoqëri” - Bota Sot
Zgjedhjet në Poloni ilustruan “përçarjet në shoqëri”

Evropë

Zgjedhjet në Poloni ilustruan “përçarjet në shoqëri”

Më: 13 korrik 2020 Në ora: 15:34
Andrzej Duda, presidenti i Polonisë.

Komisioni Kombëtar Zgjedhor i Polonisë tha se presidenti konservator, Andrzej Duda, ka fituar 51.21 për qind të votave në zgjedhjet presidenciale të vendit. Rezultatet bazohen në 99.97 për qind të votave të numëruara. Ai ishte në garë me kryebashkiakun social liberal të Varshavës, Rafal Trzaskowski, i cili ka fituar 48.79 për qind të votave.

Pjesëmarrja e votuesve ishte jashtëzakonisht e lartë me 68.12 për qind, tha komisioni.

Protesta pas zgjedhjeve?

Grupi i opozitës Platforma Qytetare (PO) – e cila mbështeti Trzaskowskin – i tha agjencisë së lajmeve Reuters se po mblidhte informacione mbi "parregullsitë" gjatë zgjedhjeve.

Analistët besojnë se rezultati i ngushtë mund të çojë në proces gjyqësor.

"Unë mendoj se do të ketë protesta dhe se e gjithë çështja do të përfundojë në Gjykatën Supreme", tha profesoresha e Shkencave Politike në Universitetin e Varshavës, Anna Materska-Sosnowska, për agjencinë e lajmeve AFP.

Ndasitë në shoqërinë polake

Këto zgjedhje janë parë gjerësisht si një betejë për të ardhmen e vendit, si dhe për marrëdhëniet e tendosura me Bashkimin Evropian.

Zgjedhja e Dudas është thelbësore për përpjekjet e partisë në pushtet Ligji dhe Drejtësi, për të forcuar reformat gjyqësore. BE-ja i ka kritikuar reformat, duke thënë se ato po politizojnë gjykatat e vendit. Gjatë fushatës zgjedhore, Trzaskowski ka thënë se ai do të bllokojë legjislacionin për të cilin beson se do të minojë normat demokratike.

Duda, një aleat i nacionalistëve në pushtet të Polonisë, pritet të ndihmojë partinë Ligji dhe Drejtësia (PiS) të vazhdojë reformat e saj në gjyqësor.

Duda është zotuar se do të mbrojë programet popullore të mirëqenies sociale të nxitura nga qeveria. Ai gjithashtu ka bërë fushatë për çështjet përçarëse sociale, duke kritikuar të drejtat e komunitetit LGBT ((homoseksual, lesbike, biseksual dhe transgjinor) dhe pretendimet hebreje për kompensimin e kohës së luftës.

Polonia është cilësuar si vendi më i keq në BE për të drejtat e komunitetit LGBT.

Trzaskowski në anën tjetër ka thënë se ai kërkon një Poloni më të hapur dhe më tolerante dhe ishte zotuar për vendosjen e lëndës së edukimit seksual në shkollat e Varshavës.

Michal Baranowski, një analist nga Fondi Gjerman Marshall, i tha Radios Evropa e Lirë tha se rezultati i ilustroi "ndasitë" në shoqërinë polake.

"Është shumë e vështirë të imagjinohet se do të ketë një pajtim kombëtar pas zgjedhjeve", tha ai.

Para se partia Ligji dhe Drejtësia si dhe Duda të vinin në pushtet më 2015, Polonia kishte një nga administratat më pro-evropiane në vendet ish-komuniste të bllokut.

Masat kundër pandemisë gjatë zgjedhjeve

Image
Dy qytetarë duke votuar në Varshavë të Polonisë.

Votimet u mbajtën nën rregulla të rrepta higjienike, për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri. Votuesit u detyruan të mbanin maska dhe doreza, distancë fizike si dhe të dezinfektonin duart.

Ata përdorën lapsat e tyre për të shënuar votën. Në raundin e parë muajin e kaluar, Duda fitoi 43.5 për qind të votave, ndërsa Trzaskowski 30.5 për qind./REL

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat