Si në skenat e filmit “Rambo”, qindra policë gjermanë vihen në ndjekje të burrit me rroba ushtarake – ka me vete revole, shigjetë e hark

Evropë

Si në skenat e filmit “Rambo”, qindra policë gjermanë vihen në ndjekje të burrit me rroba ushtarake – ka me vete revole, shigjetë e hark

Më: 13 korrik 2020 Në ora: 17:31
Burri me rroba ushtarake

Me skena që rikujtojnë filmin aksion “Rambo”, policia gjermane është vënë pas një burri të pastrehë i cili po fshihet në male, bartë me vete pajisje luftarake ndër tjera shigjetë me hark.

Afro 100 policë po patrullojnë nëpër male të asistuar nga forcat speciale me helikopterë dhe qentë për nuhatje, derisa operacioni për kërkim është duke hyrë në ditën e dytë.

Policia në Openauu në jugperëndim të Gjermanisë, ka paralajmëruar banorët lokalë të qëndrojnë nëpër shtëpitë e tyre.

Ata kanë publikuar edhe fotografitë e 31-vjeçarit, i cili ka me vete shigjetë me hark, thikë dhe të paktën një revole. Ai është i njohur për autoritetet e rendit për shkelje të shumta, përfshirë armëmbajtje pa leje.

Autoritetet nuk e kanë zbuluar identitetin e të dyshuarit, por Bild e ka identifikuar si Yves Rausch, duke publikuar fotografinë e tij i veshur me rroba ushtarake.

Policia ka njoftuar se të dielën është informuar se “një burrë i dyshuar po sillet rreth një shtëpize të drurit në male”. Menjëherë në vend të ngjarjes kishin dalë katër zyrtarë policorë, të cilët kanë konfirmuar se i dyshuari fillimisht kishte bashkëpunuar.

Megjithatë kur iu afruan ata, i kërcënoi me armë zjarri, duke mos u lënë kohë të reagojnë. Madje i ka detyruar policët të dorëzojnë armët ku më pas është zhdukur pa gjurmë.

Siç raporton Bild, Rausch ka jetuar për tre vite në afërsi të vendit ku është takuar me policët, por së fundmi ishte dëbuar nga një shtëpi pasi nuk kishte paguar qiranë.

Ai kishte punuar në hekurudha dhe në një fushë golfi, ka bërë të ditur një ish-fqinj i tij, që e ka përshkruar si një “person jo të lehtë për komunikim”.

Armë zjarri dhe kova me benzinë janë gjetur në vendin ku kishte jetuar. Ai besohet se një kohë kishte jetuar në veturë, para se të futej në një shtëpitë të drurit në male.

Gjithashtu kishte qenë i burgosur për shkak të sulmit me hark e shigjetë mbi partneren. Në anën tjetër, zëdhënësi i policisë ka bërë të ditur se ky burrë ka probleme mendore dhe se në asnjë mënyrë askush nuk duhet t’i afrohet.

E armët që ia mori policisë janë revole gjysmë-automatike që mund të kenë nga 16 plumba, që do të thotë se mund t’i ketë 64 plumba tjerë në dispozicion.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat