“Ndihemi të turpëruar nga udhëheqësit tanë”, bullgarët shpjegojnë përse vijojnë me protestat

Evropë

“Ndihemi të turpëruar nga udhëheqësit tanë”, bullgarët shpjegojnë përse vijojnë me protestat

Më: 24 korrik 2020 Në ora: 00:57
Bullgarët shpjegojnë përse vijojnë me protestat

Mijëra protestues kanë vërshuar sërish në rrugët e Sofjes për të protestuar kundër korrupsionit në qeverinë e tyre teksa shumë prej tyre kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Boïko Borissov, qeverisë së tij së qendrës së djathtë dhe kryeprokurorit.

Demonstratat në Sofje vijojnë për ditën e 14 radhazi.

“Jam këtu sepse ndihem i turpëruar prej udhëheqësve tanë, prej sjelljes dhe arrogancës së tyre. Kjo duhet të ndryshojë”, thotë Ana, një prej protestuesve në kryeqytetin bullgar.

“Një prej qëllimeve tona janë zgjedhjet e parakohshme. Pas kësaj, duhet të përqendrohemi në propozime serioze për të ndryshuar Kushtetutën dhe mbi të gjitha, duam që kryeministri dhe kryeprokurori të japin dorëheqjen”, thotë Arman, një prej organizatorëve të protestës.

Protestat filluan në fillim të korrikut pasi forca sigurie të armatosura rëndë mësynë në zyrën e presidentit Rumen Radev, një kritik i ashpër i partisë qeverisëse. Radev akuzon Borissov për “lidhje me oligarkët”.

“Bullgaria duhet të kthehet në një vend ku duhet të sundojë shteti i së drejtës sipas modelit të Europës Lindore. Kemi 30 vite që flasim për këtë”, tregon për Euronews një tjetër protestues.

Organizata Transparency International e ka renditur Bullgarinë si vendi më i korruptuar nga 27 vendet anëtare të BE.

Shumë të rinj pjesëmarrës në protestë thanë se duan të jetojnë në Bullgari por se janë të detyruar të largohen për të gjetur mundësi më të mira jetese.

“Do të shkoj në Vjenë me studime muajin tjetër sepse arsimi është më i mirë por edhe të ardhurat janë të mëdha në fushat ku unë do të punësohem në të ardhmen”, tregon Slav.

Borissov nuk pranon të japë dorëheqjen dhe thotë se do të vazhdojë mandatin e tretë si kryeministër deri në zgjedhjet e ardhshme në mars të 2021.

Këtë javë, Borissov ia arriti t’i shpëtojë një mocion mosbesimi në parlament, e pesta që kur qeveria e tij erdhi në pushtet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat