Turqia dërgon anije eksplorimi në një zonë të debatueshme me Greqinë

Evropë

Turqia dërgon anije eksplorimi në një zonë të debatueshme me Greqinë

Më: 10 gusht 2020 Në ora: 19:43
Ilustrim

Turqia dërgoi një anije për të kryer një studim sizmik në një zonë të debatueshme në Mesdheun Lindor, një veprim që Greqia e konsideron të paligjshëm dhe që ka të ngjarë të rrisë tensionet mes dy aleatëve të NATO-s.

Në paralajmërimin e lëshuar nga marina turke thuhet se anija Oruc Reis do të veprojë në zonë gjatë dy javëve të ardhshme.

Dy vendet kanë mosmarrëveshje për shkak të pretendimeve territoriale mbi burimet e hidrokarbureve në rajon.

Një njoftim i ngjashëm, muajin e kaluar nxiti një mosmarrëveshje që u zbut pas ndërhyrjes së kancelares gjermane Angela Merkel, e cila bëri që Turqia të binte dakord për një pezullim të operacionit. Por Presidenti Tayip Erdogan tha të premten se Turqia kishte rifilluan punën për kërkimin e energjisë në rajon pasi Greqia nuk kishte mbajtur premtimet e veta për këtë çështje.

Kryeministri Grek Kyriakos Mitsotakis kryesoi një takim të këshillit qeveritar për çështje të mbrojtjes të hënën i cili shqyrtoi "mënyrat e reagimit ndaj provokimit turk", tha zyra e kryeministrit konservator. Pas takimit, Ministria greke e Punëve të Jashtme lëshoi një deklaratë ku i bën thirrje Turqisë të "ndalë menjëherë aktivitetet e saj të paligjshme që dëmtojnë paqen dhe sigurinë në rajon ".

Më parë, Ministri i Shtetit George Gerapetrit i tha kanalit shtetëror televiziv grek se Athina ishte në gatishmëri të plotë politike dhe operacionale". Ai theksoi se Greqia ishte e gatshme të angazhohej në një dialog konstruktiv me Turqinë për mosmarrëveshjet mes tyre.

Paralajmërimi NAVTEX, lëshuar nga zyra e marinës turke të lundrimit, mbulon një zonë detare në jug të Antalias në Turqi dhe në perëndim të Qipros. Ai do të jetë në fuqi midis 10-23 gushtit.

Ministri turk i Energjisë Fatih Donmez tha në Twitter se anija Oruc Reis tashmë ka arritur në vendin ku do të veprojë pasi u nis nga zona ku ishte ankoruar në Antalia.

Studimet sizmike janë pjesë e punës përgatitore për mundësinë e eksplorimit të hidrokarbureve. Turqia dhe Greqia gjithashtu janë në mosmarrëveshje për çështje të tilla si fluturimet në detin Egje dhe Qipron e ndarë etnikisht. Njoftimi i Erdoganit për punën e re eksploruese erdhi pasi Egjipti dhe Greqia nënshkruan një marrëveshje të enjten e kaluar për përcaktimin e një zone ekskluzive ekonomike midis dy vendeve në Mesdheun lindor.

Diplomatët në Greqi thanë që marrëveshja anuloi një marrëveshje të arritur vitin e kaluar mes Turqisë dhe qeverisë së Libisë të njohur nga ndërkombëtarët, por Presidenti Erdogan tha se Turqia do të respektojë marrëveshjen e saj me Libinë./Voa/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat