Atentati, largohet në Lituani rivalja e Lukashenkos

Evropë

Atentati, largohet në Lituani rivalja e Lukashenkos

Më: 11 gusht 2020 Në ora: 19:48
Svetlana Tikanovskaja

Kryetarja e opozitës në Bjellorusi, Svetlana Tikanovskaja, është larguar drejt Lituanisë pas informacioneve se mund të ishte pre e një atentati me qëllime politike. Politikania e re të dielën humbi garën me presidentin e vendit, Lukashenkon, fitorja e të cilit po pritet ende me protesta.

Më pak se dy ditë pasi humbi zgjedhjet për karrigen më të lartë të shtetit, rivalja e presidentit bjellorus, Aleksandër Lukashenko, ka njoftuar largimin nga vendi pasi i rrezikohej jeta.

37-vjeçarja Svetlana Tikanovskaja një ditë më parë tha se nuk e njihte rezultatin e garës me kundërshtarin e saj, që arriti një tjetër fitore plebishitare me mbi 80 për qind të votave.

Ajo konfirmoi të martën se ndodhet e sigurt në Lituaninë fqinje, së bashkë me fëmijët e saj.

“Mendoja se fushata më kishte bërë aq shumë të fortë sa të duroja gjithçka. Por ndoshta mbeta e njëjta grua e dobët si në fillim. E di se shumë prej jush do më kuptojnë, e të tjerë do më dënojnë e urrejnë. Por nuk ia vlen të flijohesh për ato që po ndodhin, e fëmijët janë gjëja më e shtrenjtë në jetë,” deklaroi Tikanovskaja me një mesazh në Youtube.

Vetëm pak orë më herët shërbimi informativ bjellorus bëri me dije se evitoi një tentativë për atentat ndaj politikanes opozitare, krim që mendohej se do të kryhej nëse e reja do të merrte pjesë në protestat antiqeveritare që kanë shpërthyer në vend pas zgjedhjeve të së dielës.

Në orët e mbrëmjes, qytetarët sërish u ngritën në revoltë ndaj shtetit dhe policisë, duke krijuar barrikada kundër forcave të rendit që nuk hezitonin të përdornin gaz lotsjellës, plumba gome e shkopinj gome për të shpërndarë turmat.

Autoritetet thanë se një person humbi jetën nga shpërthimi në duar i një materiali eksploziv ndërsa mijëra të tjerë u shoqëruan nga policia apo nëpër spitale me plagë të lehta.

Presidenti Lukashenko i quajti protestuesit një tufë delesh të kontrolluara nga shtetet e huaja.

“Kemi filmime të një ish-oficeri të sigurimit dhe të gjitha telefonatat me jashtë. Ka pasur telefonata nga Polonia, Britania e Madhe, Republika Çeke për të kontrolluar, më falni që e them, delet tona, sepse këta protestues as nuk e kuptojnë se çfarë po bëjnë.”

Opozita ka akuzuar autoritetet qeveritare për manipulim të rezultatit të garës presidenciale për shkak se me dhjetëra vëzhgues zgjedhorë që konstatuan shkeljet përfunduan të arrestuar.

Arrestimeve nuk i shpëtuan në muajt e fundit as kandidatët zyrtarë të opozitës.

Mes gjithë pakënaqësisë popullore, 65-vjeçari Lukashenko synon të nisë mandatin e gjashtë në krye të shtetit të cilin e drejton që nga viti 1994.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat