​Kurz: Merkel gaboi kur vendosi hapjen e kufijve për migrantët

Evropë

​Kurz: Merkel gaboi kur vendosi hapjen e kufijve për migrantët

Më: 2 shtator 2020 Në ora: 16:01
Sebastian Kurz

Kancelari austriak Sebastian Kurz e quajti të gabuar vendimin e kancelares gjermane Angela Merkel për të hapur kufijtë për refugjatët pesë vjet më parë.

"Që në fillim, unë isha kundër politikës së kufijve të hapur. Politika e kufijve të hapur jo vetëm që kontribuoi në numrin e madh të njerëzve që drejtoheshin në drejtim të Evropës, por gjithashtu çoi në një mbingarkesë të madhe në shumë pjesë të Evropës Qendrore", tha Kurz, i cili gjatë krizës së migrantëve ishte ministër i Integrimit i Austrisë.

Në një intervistë për agjencinë DPA, ai tha se për shkak të politikës së kufijve të hapur, trafikantët e qenieve njerëzore "fituan shuma të mëdha" dhe se në të njëjtën kohë "të panumërt" njerëz humbën jetën ndërsa përpiqeshin të kalonin Mesdheun.

Kancelari austriak kujtoi se për shkak të qëndrimit të tij në atë kohë, ai u sulmua dhe u shty në "cepin ekstrem të djathtë", por që ai, si Ministri i atëhershëm i Integrimit, ishte i vetëdijshëm se integrimi varej nga numri i të ardhurve.

"Unë jam i lumtur që pesë vjet pas krizës së refugjatëve, ekziston një politikë krejtësisht e ndryshme në Evropë," tha Kurz.

Ai hedh poshtë propozimin gjerman për reformën e sistemit të azilit në Bashkimin Evropian, i cili parashikon qendra pritjeje në kufijtë e jashtëm të BE-së, nga ku migrantët do të vendoseshin në vendet anëtare.

"Nuk mendoj se shpërndarja në Evropë do të funksionojë, sepse shumica e anëtarëve e shikojnë atë me skepticizëm," tha Kurz.

Ai shtoi se duhet të merret parasysh që gjithnjë e më shumë njerëz vijnë përmes rrugës mesdhetare për arsye ekonomike, kryesisht nga Tunizia.

"Këta nuk janë refugjatë të vërtetë, por migrantë për arsye ekonomike," përfundoi Kurz, duke shtuar se presidenti turk Recep Tayyip Erdogan nuk duhet të lejohet të përdorë refugjatë për të shantazhuar Evropën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat