Pse zviceranët kanë frikë nga përdorimi i rrjetit 5G?

Evropë

Pse zviceranët kanë frikë nga përdorimi i rrjetit 5G?

Më: 13 shtator 2020 Në ora: 06:00
Foto ilustrim

Mundësia e efekteve anësore të rrezatimit pa tel në trupin e njeriut, ka ngjallur frikën tek qytetarët në Zvicër për shkak të teknologjisë 5G.

Sipas Euronews, vendi kryeson i pari në Evropë, për sa i përket implementimit të kësaj teknologjie, pasi vetëm vitin e kaluar vendi kishte instaluar mbi dymijë antena.

Sidoqoftë, zbatimi po ‘ngadalësohet’ për shkak të shqetësimeve të njerëzve që teknologjia mund t’i dëmtojë ata.

Image

Banorja e qytetit Nyon, Anna Frusciante, e cila njëherësh vuan nga elektro-mbindjeshmëria, tregon për numrin e antenave të reja përreth zonës.

Ndërkohë, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, personat që vuajnë nga elektro-mbindjeshmëria, raportojnë një larmi problemesh shëndetësore që kanë të bëjnë me ekspozimin ndaj frekuencave elektromagnetike, siç janë sinjalet e telefonit celular.

Disa të tjerë, zhvillojnë simptoma të lehta si skuqjet; dëmtim të lëkurës, dhe disa të tjerë preken aq shumë sa që ndryshojnë edhe stilin e jetesës.

Anna shprehet e shqetësuar për efektet e padukshme që mund të ndikojnë tek ajo shkaku i antenave.

“Njëra prej antenave më të fundit që u instalua në Nyon, gjendet në qendër të qytetit në një ndërtesë banimi. Ajo qëndron afër një ndërtese të shkollës së mesme”, shpjegoi ajo.

Të qenit i ndjeshëm nga rrezatimi, si rreth 10 për qind e popullsisë zvicerane, i kushtoi Anës me humbjen e punës së saj – si dhe të njëjtën e detyroi që shpërngulej prej një vendi në tjetrin.

“Në mes të muajit prill të vitit të kaluar, kisha probleme me gjumin si dhe rrahjet e zemrës mu shpeshtuan, derisa pas tri ditësh ndihesha e lodhur. Dikush më pas më tregoi se një antenë 5G gjendej në Nyon”, potencoi Anna.

“Kur e kuptova se antena gjendej rreth 200 metra larg shtëpisë time, mora makinën dhe flija nëpër pyje”, rrëfeu banorja.

Instalimi i teknologjisë 5G

Teknologjia e 5G është lansuar në 17 vende të Evropës, përfshirë në Zvicër; Norvegji si dhe në Mbretërinë e Bashkuar.

Mirëpo, kjo teknologji e re e cila premton një lidhje më të zgjeruar mes njerëzve në botë, është ende duke u testuar nga studiuesit.

Vetëm në Zvicër, 90 për qind e territorit është i mbuluar nga standardi 5G, një lloj i teknologjisë 4G i zgjeruar.

Ndërkohë, në vend kanë vërshuar protestat për të penguar krijimin e rrjetit origjinal 5G, i njohur si 5G plus.

Euronews mori deklaratë nga një inxhinier elektrik, Olivier Bodenmann, dhe njëherësh themeluesi i kauzës “Stop 5G”, apo “Ndalojeni rrjetin 5G”.

“Ajo që na shqetëson neve është rritja e energjisë. Operatorët dëshirojnë ta rrisin atë deri në faktorin katër. Aktualisht në Zvicër, limiti është deri në pesë ose gjashtë volt për metër. Ata e dëshirojnë rritjen deri në 20”, u shpreh ai.

Elektro-mbindjeshmëria

Elektro-mbindjeshmëria nuk njihet në Zvicër si ndonjë sëmundje, sipas Euronews, dhe ajo vështirë se mund të identifikohet.

“Diagnoza vështirë se mund të përcaktohet, gjithashtu hulumtimi mbi identifikimin e sëmundjeve mbetet i vështirë. Kur nuk ekzistojnë studimet edhe trajtimet e pacientëve rrallë mund të implementohen në mënyrën e duhur”, tha mjeku Philippe Tournesac.

“Ekziston një kategori e tërë e popullsisë që rrezikon të vuajë nga valët e tepërta elektromagnetike”, shtoi ai.

Ndikimi i 5G tek bletët

Biologu, Danier Favre, është i mendimit se duhet të hulumtohet më shumë për rrjetin 5G.

Ai ka nënshkruar apele të ndryshme të cilat u dërguan në Kombet e Bashkuara dhe tek Bashkimi Evropian, duke kërkuar që të rivlerësohen efektet shëndetësore që mund t’i shkaktojë ajo teknologji.

Eksperti gjithashtu potencoi se ka hulumtuar për ndikimin që kanë fushat elektromagnetike tek bletët.

Ideja sipas tij qëndron në regjistrimin e tingujve të bletëve që më pas duhet të analizohen.

“Analizojeni formën e valës. Sa më i trashë të jetë, aq më i madh është intensiteti i zërit. Kur telefonat janë aktivë kolonia e bletëve shqetësohet. Dhe sa më shpejtë që telefonat të fiken, kolonia kthehet në zhurmën e saj normale”, theksoi Favre.

“Zbatimi i teknologjisë 5G në mënyrë të sigurt për njerëzit dhe mjedisin, duhet të bëhet vetëm nëse bëhen studime të mëtejshme dhe të pavarura”, deklaroi ndër tjerash biologu. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat