Vendet e OSBE-së caktojnë ekip hetimi për Bjellorusinë

Evropë

Vendet e OSBE-së caktojnë ekip hetimi për Bjellorusinë

Më: 19 shtator 2020 Në ora: 06:38
Bjellorusi

Shtatëmbëdhjetë vende anëtare të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë kanë emëruar një ekip të pavarur ekspertësh për të hetuar pohimet për shkelje në zgjedhjet presidenciale të gushtit në Bjellorusi, tha Danimarka.

“Në thelb, misioni ka të bëjë me kërkim llogarie ndaj autoriteteve të Bjellorusisë që janë përgjegjëse për shkeljet e rënda të së drejtës së popullit bjellorus për zgjedhje të lira dhe të ndershme, liritë themelore dhe një shtet funksional të së drejtës”, thuhet në një deklaratë të Ministrit të Jashtëm danez, Jeppe Kofod.

Misioni pritet të publikojë një raport brenda gjashtë deri tetë javësh, tha ministria e jashtme daneze. Ekipi i ekspertëve të pavarur do të hetojë njoftimet për përndjekje të kandidatëve, gazetarëve dhe aktivistëve si dhe përdorimin e tepruar të forcës kundër protestuesve paqësorë, ndalimet dhe torturat e paligjshme. Presidenti Alexander Lukashenko thotë se ai i fitoi zgjedhjet në mënyrë të drejtë dhe është viktimë e një fushate të shpifjeve nga perëndimi. Misioni i OSBE-së nuk ka të ngjarë të ketë qasje në Bjellorusi.

Minsku pengoi dërgimin e vëzhguesve të OSBE-së në zgjedhjet presidenciale, duke mos i ftuar ata dhe ka injoruar ofertat e përsëritura nga kryesuesi i radhës i OSBE-së, kryeministri shqiptar Edi Rama, për të vizituar vendin. Vendet anëtare të OSBE-së që mbështesin misionin në Bjellorusi janë Danimarka, Belgjika, Kanadaja, Estonia, Finlanda, Franca, Islanda, Letonia, Lituania, Holanda, Norvegjia, Polonia, Rumania, Sllovakia, Britania e Madhe, Republika Çeke dhe Shtetet e Bashkuara. Më herët, 29 vende, përfshirë SHBA dhe Gjermaninë lëshuan një deklaratë të përbashkët në të cilën dënonin raportimet për ndërprerje të internetit nga qeveria e bjellorusisë pas zgjedhjeve të muajit të kaluar që konsiderohen nga perëndimi të manipuluara.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat