Madrid: Frikë nga getoizimi për shkak të Coronës

Evropë

Madrid: Frikë nga getoizimi për shkak të Coronës

Më: 21 shtator 2020 Në ora: 10:46
Foto ilustrim

Spanja është vendi i goditur më fort nga pandemia e Coronës në Evropën Perëndimore dhe për shkak të numrit të lartë të infektimeve në Madrid do të vendosen rregulla strikte.

Për shkak të shtimit të rasteve të infeksioneve me virusin Corona duke filluar nga e hëna, disa prej rajoneve periferike të Madridit do të bllokohen. Banorët e këtyre zonave, që bëjnë pjesë në lagjet me të ardhura të ulëta të kryeqytetit spanjoll protestuan dhe i quajnë masat të padrejta dhe diskriminuese.

Protestuesit mbanin pankarta me mbishkrime si “Lagjet tona nuk janë geto”, “Më shumë mjekë, jo përjashtim” ose “Ju na keni braktisur dhe tani po na mbyllni”. Ata bënë thirrje për dorëheqjen e presidentes rajonale konservatores Isabel Díaz Ayuso. Në disa prej pankartave qe shkruar: “Ayuso, ti je virusi”.Masat e forta do të jenë fillimisht në fuqi për dy javë. Sipas informacioneve zyrtare prej tyre janë të prekur 850,000 nga rreth 6.6 milion banorë të rajoneve përreth kryeqytetit. Fjala është për 37 zona në gjashtë lagje dhe shtatë komuna në periferi të Madridit. Banorët e tyre mund të hyjnë ose të dalin vetëm për çështje urgjente – për shembull për të shkuar në punë, në shkollë ose te mjeku.

Kryesisht preken të varfërit

Bllokime të ngjashme ka edhe në pjesë të tjera të Spanjës, për shembull në kryeqytetin e Majorkës, Palma. Dhe jo vetëm në Madrid “bllokimet e pjesshme” pothuajse gjithmonë prekin lagjet dhe zonat e varfëra me probleme sociale.Në zonat e prekura të Madridit numri i infeksioneve të reja shpesh është më shumë se 1.000 për 100,000 banorë brenda 14 ditësh. Për krahasim: në Gjermani numri i infeksioneve për 100,000 banorë brenda 7 ditëve të fundit është aktualisht rreth 12 vetë.

Me më shumë se 640,000 infeksione dhe gati 30,500 vdekje Spanja është vendi i goditur më fort nga pandemia e Coronës në Evropën Perëndimore./DW

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat